23.3 C
New York
Sunday, September 7, 2025

Buy now

Kurti uroi Policinë e Kosovës në 26-vjetorin e themelimit të saj

- Advertisement -

Policia e Kosovës shënoi 26-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni ku ishin të pranishëm, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues dhe drejtues të institucioneve tjera të sigurisë, e familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës. 

 

Në këtë 26-vjetor, kryeministri Kurti, krahas urimit shprehu mirënjohjen më të thellë për policinë, duke thënë se do të vazhdojmë t’ju mbështesim me pajisje moderne, kushte më të mira pune dhe mbrojtje institucionale, sepse Policia e Kosovës është garancia jonë për rend e ligj, e paqe, për siguri dhe për liri. Ai kujtoi me nderim Heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, Heroin e Kosovës, Enver Zymerin dhe të gjithë policët që ranë në krye të detyrës. “Sakrifica e tyre është porosia jonë: çdo ditë të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të fortë”, tha ai.

  

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu,

I nderuari kryetar i Kuvendit së Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla,

I nderuari drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha,

I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në shtetin tonë,

Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të dashur familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,

I nderuari komandant i KFOR-it, gjeneral Barduani,

I nderuari shef i EULEX-it, z. Barbano,

Të nderuar eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës,  

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 

Sot shënojmë 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë së bashku me FSK-në, ushtrinë tonë.

 

Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i një date, por dëshmi e rrugës sonë të përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida e duke shënuar plot arritje ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës. Ajo ka treguar se është themeli i sigurisë sonë dhe për këtë arsye ne si institucione do të jemi gjithmonë krah saj, duke e mbështetur atë me të gjitha mjetet.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Gjatë këtij viti, Policia e Kosovës ka konfirmuar sërish që është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj. Në veri, ajo sërish nuk i la shanse krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia. U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto fitore të qytetarëve tanë, të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelizmit ka marrë fund. Kosova është një, e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj.

 

Kemi parë gjithashtu se Policia jonë nuk ndalet as para krimeve të së kaluarës. Arrestimet e personave të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës janë dëshmia se drejtësia edhe kur vonon, ajo megjithatë vjen një ditë. Kjo është përgjegjësi ndaj kujtesës sonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit e gjenocidit të Serbisë.

 

Policia e Kosovës ka treguar se është institucion i të gjithëve. Vajzat dhe gratë në uniformë shërbejnë sypatrembur në çdo cep të Republikës së Kosovës. Që nga menaxhmenti i lartë, krimet e luftës, njësitë speciale, krimet e rënda, inteligjenca, dhuna në familje e policimi në bashkësi, ato kanë thyer barriera të vazhdueshme duke vërtetuar që asnjë profesion nuk ka gjini kur si i tillë përbrendësohet me vullnet e përkushtim për shërbim.

 

Në anën tjetër, 10% e policisë sonë janë pjesëtarë nga komunitetet, dhe mbi gjysma e tyre i përkasin komunitetit serb. Ky është vizioni ynë për integrim dhe bashkëjetesë. Ndërkohë, Serbia vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës duke mos u dhënë vend në institucionet e saj të sigurisë. Ky kontrast e tregon qartë për këdo që dëshiron të shoh saktë, dallimin mes Republikës sonë demokratike dhe politikave diskriminuese të një shteti autoritar si Serbia.

 

Të nderuar miq,

 

Gjatë këtij viti kemi hapur stacione të reja policore në kufi, kemi ngritur kapacitetet e Njësive për Ndërhyrje të Shpejtë dhe kemi forcuar bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe pikat e përbashkëta kufitare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi inauguruar hapësira të reja për Inspektoratin Policor të Kosovës, duke fuqizuar integritetin e brendshëm dhe llogaridhënien institucionale.

 

Policia jonë nuk toleron asnjë element kriminal e sidomos jo brenda vetes. Aksionet e Inspektoratit kundër zyrtarëve të përfshirë në vepra të paligjshme janë dëshmi se puna për integritet dhe pastërti nuk është fushatë, por është taman punë. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm e ka bërë policinë një nga institucionet më të besueshme në vend dhe kjo nuk do të cenohet nga askush.

 

Ky besim i qytetarëve është i dukshëm edhe te vlerësimet ndërkombëtare. Sipas raportit të Gallup International, Kosova është ndër 14 vendet më të sigurta në botë. Në Indeksin e Rendit dhe Ligjit, renditemi të 8-it. Këto nuk janë thjesht statistika, por janë konfirmim i punës së palodhur të Policisë sonë dhe e besimit që qytetarët tanë e ndiejnë çdo ditë.

 

Të dashur pjesëtarë të Policisë së Kosovës,

 

Ju jeni vazhdimësia e brezave që dhanë jetën për këtë Republikë. Kujtojmë sot me nderim Hero Afrim Bunjakun, Hero Enver Zymerin dhe të gjithë policët që ranë në krye të detyrës. Sakrifica e tyre është porosia jonë: çdo ditë të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të fortë.

 

Në këtë 26-vjetor, në emër të Qeverisë së Republikës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju shpreh mirënjohjen më të thellë. Ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim me pajisje moderne, kushte më të mira pune dhe mbrojtje institucionale. Sepse Policia e Kosovës është garancia jonë për rend e ligj, e paqe, për siguri dhe për liri.

 

Urime 26-vjetori i Policisë së Kosovës!

Lavdi dëshmorëve të saj!

Rroftë Policia e Kosovës!

Rroftë Republika e Kosovës!

 

Të ngjashme

Të fundit