Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme është nderuar me çmimin “Alumni i Nderit” nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë historike dhe politike të këtij universiteti, duke e cilësuar atë si ndarës të historisë së Prishtinës në dy periudha – para dhe pas themelimit të tij.
Ai vlerësoi rolin e studentëve dhe profesorëve në ndërtimin e shoqërisë kosovare dhe shtoi se dija duhet të jetë gjithmonë në shërbim të publikut.
Kurti përmendi edhe angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e arsimit të lartë përmes rritjes së mbështetjes financiare, bursave dhe projekteve kërkimore.
“Ky çmim nuk është vetëm nder personal, por edhe përgjegjësi e madhe”, tha Kurti, duke falënderuar universitetin për kontributin e tij në ndërtimin e Republikës së Kosovës.