Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në takim me kryetarët e komunave u ka kërkuar atyre që të rrisin shërbimet ndaj qytetarëve.
“Për nivelin komunal ka një rritje të buxhetit prej 100 milionë eurove krahasuar me vitin paraprak. Kjo duhet të reflektojë edhe në rritjen e shërbimeve komunale karshi qytetarëve tanë, mirëqenies, shëndetësisë, sportit, rinisë e kulturës dhe zhvillimit socio-ekonomik”.
Kurti, mes tjerash, deklaroi se është i hapur dhe i gatshëm që të jetë afër gjithë kryetarëve për të mirën ekonomike, sociale dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
“Jam shumë i interesuar që në takim të tilla të kemi në agjendë çështje që prekin mirëqenien e qytetarëve, por kemi sfida. Me buxhetin duhet të lehtësojmë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve e për këtë duhet të punojmë bashkërisht. Si kryeministër i Kosovës jam i gatshëm dhe i hapur të jem afër jush me bashkëpunëtorët e mi por edhe me gjithë kabinetin qeveritarë për tu angazhuar për progresin ekonomik, social të Republikës”, u shpreh Kurti.
Tutje, kreu i ekzekutivit u kërkoi kryetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe transparent me shpenzimin e buxhetit komunal.
“Duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarit. Bashkë me ministrat kemi prezantuar buxhetin. Do të kemi rast të diskutojmë gjatë takimit, por edhe ju si komuna duhet ta shihni mundësinë se si mund të ndihmoni më tej në planin afatgjatë”, tha Kurti.