Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se për themelimin e Zajednicës i propozoi qëndrimin evropian, amerikan dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të, shkruan Demokracia.com.
“Unë kam bërë oferta vazhdimisht, e fundit ishte në pasditen e hershme të 18 marsit. Në momentin kur unë bëra ofertë pala tjetër kërcënoi për përfundim të takimit. Ofertë, qartazi kam thënë, për statutin se si duhet të rregullohet kjo çështje. Unë kam kaluar prej palës serbe të jenë dakord me tri shtylla brenda së cilës unë do ta rregulloj atë statut, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Nëse ju jeni dakord me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me qëndrimin evropian, amerikan. Në këtë tre-shtyllësh parimor e të drejtë unë nesër kam thënë se do t’ua sjellë statutin. Madje ju kam thënë se do ta sjellë një propozim për të cilin iu premtoj se nuk do të keni mundësi ta refuzoni. Nuk u pranua as ideja. Pra, unë solla premisën që duhet të pranohet. Që të gjithë ne ishim në hotel në Ohër dhe të gjithë ne tashmë e kemi të dakorduar qëndrimin. Në mëngjesin e 19 marsit kanë mundur ta kenë draftin e propozuar nga ana ime, thanë jo – çka t’iu bëjë unë tash”, deklaroi ai.
Kurti ka tentuar ta elaborojë dallimin e Zajednicës me vet-menaxhim, ani pse emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se nuk ka rëndësi emri i vendosur.
“Së pari, duhet ta kuptoni që vet-menaxhim nuk është vet-administrim, nuk është vetëqeverisje. E kam elaboruar që nga pikëpamja ime, e cila do të mund të konfirmohet nga secili jurist serioz i të drejtës ndërkombëtare, që kur thua vetmenaxhimi i komunitetit serb, në fakt e ke si instrument marrëveshjen kornizë për mbrojtjen e pakicave, në të mund të gjejmë të gjitha zgjidhjet e nevojshme për ata serbë që propozimi i Planit të Ahtisaar-it ka qenë i pamjaftueshëm. Mua më është dukur që ofron privilegje”, deklaroi shefi i ekzekutivit.
Ai dha edhe një propozim në stilin e redaktorit të mediave se çfarë të trajtohet në debatet televizive.
“Nëse ne në vazhdimisht e kemi në debatet tona kryefjalë Asociacionin, tash që po zhvillohen negociatat, nuk më ndihmoni mua. Kjo është hera e vetme që do të ankohem. Ne kemi nevojë që kryefjala të jetë trystnia ndërkombëtare për Beogradin që nuk nënshkruan dhe shkel marrëveshje”, vijoi kryenegociatori i palës kosovare.