Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vijë për vizitë në Kosovë. Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar miqësisht që gjatë kësaj vizite të mbahet edhe mbledhja e dy Qeverive.
Teksa është bërë e ditur se kjo vizitë do jetë për të diskutuar lidhur me Procesin e Berlinit që do mbahet në tetor në Tiranë, Kurti tha se teksa përgatitjet po bëhen kaq herët, të “mos vonohemi” edhe me një mbledhje të dy Qeverive.
“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama se meqenëse do të vijë e do të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy Qeverive e cila u anulua paarsyeshëm…13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, të cilat tash kanë mbetur në sirtar…procesi i Berlinit, samitin e radhës në Tiranë, e ka në mes të muajit tetor, tash jemi në fillim të korrikut, nuk është as në mes të muajit gusht, as shtator, po tetor. Shumë mirë që bëhen këto përgatitje kaq herët, mirëpo përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi edhe më tutje me një anulim të pararsyshëm të mbledhjes së dy Qeverive. Andaj, për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy Qeverive”, tha ai në një konferencë për media pas mbledhjes të Qeverisë.
“Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy Qeverive, por jo takime të tjera”, shtoi Kurti.
Kryeministri Rama kishte anuluar mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive e planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë.
Këtë e kishte bërë me arsyetimin lidhur me situatën në veri dhe kishte kërkuar një takim të një formatit tjetër mes dy kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm të dy vendeve.
Qeveria e Kosovës kishte thënë se anulimi i një mbledhje të dakorduar në mënyrë të njëanshme ka ndodhur për herë të parë, duke thënë se formati i takimit të propozuar nga Rama do të mund të mbahej po atë ditë.