Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese.
Kryeministri Kurti në përvjetorin e 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë, tha se rruga jonë është evropiane.
“Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimit në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, ne i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.” tha Kryeministri Kurti, në shënimin e përvjetorit të 9-të të themelimit të Këshillit të Investitorëve Evropianë.
Duke uruar Këshillin për këtë ditë të veçantë, Kryeministri Kurti foli për mundësitë të cilat Republika e Kosovës i ofron, potencialin zhvillimor, punën dhe arritjet e Qeverisë.
Ai theksoi se Qeveria ka marrë përsipër të kryejë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin në dialog të rëndësishëm me sektorin privat. Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.
“Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese”, shtoi Kryeministri Kurti.
“Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku,” tha Kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Emrush Ujkani, CEO i Këshillit të Investitorëve Evropianë,
I nderuar Johannes Stenbaek Madsen, Drejtues i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë,
E nderuar Eriola Bibolli, Kryesuese e Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë,
Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar të ftuar,
Urime!
Dëshiroj të ju uroj të gjithëve për këtë nëntë vjetor të Këshillit të Investitorëve Evropianë në Republikën e Kosovës.
Vendi ynë është padyshim evropian. Qeveria jonë është me gjithë zemër e përkushtuar ndaj vlerave evropiane siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe integrimi në organizatat evropiane si BE-ja dhe Këshilli i Evropës. Dhe ajo që vijon është vlerësimi dhe përkushtimi ynë i shumëfishtë: ne e vlerësojmë dialogun publiko-privat si një mjet për politika më të mira, i drejtohemi shoqatave të biznesit si aktorë dhe partnerë për ndryshim dhe mirëpresim kapitalin evropian si forcë lëvizëse për rritjen ekonomike në Kosovë.
Ne po jetojmë në kohë inkurajuese dhe po punojmë për ta shfrytëzuar këtë sa më shumë që mundemi. Renditjet dhe raportet ndërkombëtare e pranojnë dhe njohin përparimin tonë dhe numrat dëshmojnë për punën tonë. Vendi po përjeton rritjen më të fortë ekonomike në historinë e tij, me një normë mesatare prej 7 për qind në vit që kur morëm detyrën në vitin 2021 dhe të paktën 4 për qind për këtë vit.
Me eksportet vjetore që tani tejkalojnë 1 miliard euro, raporti ynë eksport-import është ngushtuar nga pothuajse 1 me 9 (në 2019) në më pak se 1 me 6 (në 2023). Kemi dyfishuar investimet e huaja direkte, me një total prej 1.2 miliardë eurosh gjatë dy viteve dhe 772 milionë euro të regjistruara vetëm në vitin 2022.
Të ardhurat tona tatimore pothuajse janë dyfishuar – me dy të tretat ose një miliard euro – të gjitha duke i mbajtur të paprekura normat tona tatimore. Gjatë dy viteve në detyrë, buxhetit të shtetit iu shtuan tre të katërtat e një miliardë eurove (760 milionë për të qenë të saktë), kurse ekonomisë 2.1 miliardë euro. Më herët janë dashur tre herë më shumë kohë për të arritur rritje të tilla në qeveritë e mëparshme.
Ne jemi të bindur se ndryshimi mund të ndodhë, se sundimi i ligjit është një imperativ për të na shërbyer të gjithëve dhe se qeveria mund të kontribuojë në mënyrë efektive dhe efikase për prosperitet. Ne kemi filluar reforma të shumta për këtë qëllim dhe po punojmë për shumë të tjera së bashku me komunitetin tonë të biznesit.
Po rishikojmë ligjet dhe rregulloret tona imtësisht për t’i përditësuar ato me legjislacionin e BE-së, për të pasqyruar nevojat e një shoqërie në rritje dhe për të reduktuar barrën administrative për bizneset dhe individët.
Ne kemi themeluar Gjykatën Komerciale të Kosovës për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të bizneseve, për të zbatuar ligjet për pronën dhe kontratat, dhe për të liruar kapitalin e nevojshëm për rritje. Ne kemi miratuar projektligjin për Investime të Qëndrueshme për të krijuar Agjencinë e Investimeve dhe Eksportit, si institucioni i parë i pajisur plotësisht në vend për të mbështetur investitorët në të gjitha fazat e procesit të investimit. Fondi Sovran i Republikës së Kosovës është duke u themeluar për të menaxhuar asetet në pronësi publike dhe për partneritet me sektorin privat përmes dy aktiviteteve të rëndësishme: së pari duke sjellë kapital privat në kompanitë shtetërore dhe së dyti duke injektuar para publike në bizneset private me potencial eksporti dhe prodhimi.
Ne udhëhiqemi nga një e vërtetë e thjeshtë: të kemi një shtet të fortë me një qeveri të shkathët. Dhe ne kemi marrë përsipër të kryejmë reformat në mënyrë transparente dhe demokratike, duke përfshirë angazhimin tonë në dialog të rëndësishëm me sektorin privat. Shoqatat e biznesit si Këshilli i Investitorëve Evropian marrin pjesë në konsultime dhe seminare, të cilat ne i hartojmë me kujdes për të inkurajuar komunikimin dhe për të informuar vendimmarrjen.
Është përmes një procesi pjesëmarrës – duke zëvendësuar spektatorët pasivë me lojtarë aktivë – që ne mund të ofrojmë atë që nevojitet për një ekonomi të fuqishme dhe moderne.
Republika e Kosovës është një zgjedhje ideale për investitorët. Vendndodhja jonë gjeografike, rinia e talentuar dhe qeveria e pastër krijojnë mundësi të shumta për të qenë pjesë e projekteve transformuese.
Tranzicioni i energjisë renditet lart në listën e prioriteteve. Ne kemi miratuar një Strategji të Energjisë ambicioze, por të realizueshme, duke kërkuar të shtojmë 1300 MË energji të rinovueshme deri në vitin 2031. Me një grant prej 202 milionë dollarësh nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të ShBA-së, ne po krijojmë një strukturë magazinimi 170 MË — ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Ankandi ynë i parë i burimeve të rinovueshme është duke u zhvilluar ndërsa ne kërkojmë oferta për një park diellor 100 MË, duke siguruar qasje në tokë dhe një marrëveshje afatgjatë të blerjes së energjisë. Më shumë ankande dhe projekte do të vijnë, ndërsa planifikojmë të përdorim erën dhe diellin tonë të bollshëm për të prodhuar energji për bizneset dhe familjet.
Rruga jonë është e sigurt me politikën tonë të re industriale, e cila i jep përparësi sektorëve me potencial të lartë dhe promovon konkurrencën përmes një qasjeje të integruar. Bizneset janë të qetë me reformën tonë të vazhdueshme të inspektimeve dhe progresin tonë në digjitalizim. Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit sjellë krenari të madhe për vendin tonë, me raportet evropiane që e rendisin Kosovën në mesin e më të talentuarve dhe konkurruesve në këtë sektor. Edhe vendbanimet deri më të largëta tani janë të lidhura me internetin me brez të gjerë, duke e vendosur Kosovën në mesin e vendeve më të avancuara të Evropës sa i përket lidhshmërisë.
Shpresa jonë është të afrohemi më tej – me çdo kusht. Ne jemi duke kryer një studim fizibiliteti për një hekurudhë që lidh Prishtinën me portin e Durrësit në Shqipëri dhe planifikojmë të ndërtojmë një port të gjelbër pikërisht në Kosovë për ta bërë atë një qendër tregtare për rajonin dhe një pasuri të vlefshme për Evropën.
Pra, le të festojmë përvjetorin tuaj dhe të ardhmen tonë.
Rruga jonë është e qartë. Është ajo evropiane. Dhe ne ecim në këtë mision së bashku