Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar para medieve pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, takim ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti tha se palët janë në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes dhe arritje së fqinjësisë së mirë evropiane.
“Ecje përpara do të ketë për planin e zbatimit, për çka do të ketë diplomaci të fluturimit që thuhet. Dhe do të ketë edhe takime të nivelit të larta. I falënderoj edhe Borrell edhe Lajçak pra që të dy dhe besoj se jemi në një rrugë të mbarë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe në një rrugë njëkahëshe për fqinjësi të mirë evropiane”.
“Unë besoj se është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga të gjithë por është marrëveshje që plotësisht vendos barazinë e palëve , marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit në mënyrë demokratike dhe evropiane. Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar, kam shprehur gatishmërinë që ta nënshkruajë këtë tekst dhe fundja s’do të ishte e para që nënshkruhet kryeministri i Kosovës dhe një kryeministër i Serbisë kur më 3 nëntor të vitit të kaluar kemi nënshkruar tri marrëveshje ku ishte edhe kryeministrja Brnabiq, në mënyrë të barabartë me mua.Edhe mendoj se është dëm pse nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, tha Kurti.
Tutje ai theksoi se konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht se do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e bëri këtë, ndonëse u pajtua.
“Unë jam kryeministër i Kosovës, tekstin e dakorduar do të mund ta lexoni që të gjithë”,përfundoi ai.