Ai këto deklarime i bëri gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Ferizajt ku prezantoi buxhetin për vitin 2023.
Për këtë komunë Qeveria ka planifikuar buxhet mbi 38 milionë euro.
“Rritje e zhvillim ekonomik pritet me buxhetin e vitit 2023, i cili është më i larti e më gjithëpërfshirësi ndonjëherë. Projektbuxheti i vitit 2023 kap vlerën prej 3 miliardë e 212 milionë euro. Pra është 8.7% apo 220 milionë euro më i shumë se sa ai i vitit 2022”, tha kryeministri Kurti.
Në përputhje me Programin Qeverisës 2021-2025, me buxhetin e vitit 2023 do të vazhdojmë mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë. Në kuadër të buxhetit parashihet shtimi i vlerave për investime kapitale, mallra dhe shërbime, që arrijnë vlerën 1.3 miliard euro. Kjo do të kontribuojë edhe në shtimin e aktivitetit biznesor dhe rritjen e zhvillimit ekonomik, tha kryeministri.
Bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryeministri bashkëbisedoi lidhur me projektet e planifikuara për vitin 2023, nismat e reja dhe ato që po vazhdojnë, e që për qëllim kanë rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e Republikës sonë.
Pas fjalës së tij dhe prezantimit të buxhetit për vitin 2023, Kryeministri Kurti së bashku me Ministrin Murati dhe Ministrin Krasniqi bashkëbiseduan me qytetarët rreth ndarjeve buxhetore për vitin e ardhshëm.