Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se subjekti i tij, Lëvizja Vetëvendosje, do t’i ndihmojë PDK-së për t’i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për ta çuar propozimin e tyre për president të vendit zyrtarisht në Kuvend.
Për ta bërë këtë, subjekteve politike u duhen 30 nënshkrime. PDK-ja i ka 22 deputetë, ndaj Kurti u zotua se VV-ja mund t’i ndihmojë t’i mbledhë edhe 8 nënshkrime.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Adil Behramaj. Ai ka thënë se Kurti nënshkrimet duhet t’ia japë Vjosa Osmanit.
“Me tallje dhe cinizëm, Kurti po e çon vendin drejt zgjedhjeve. Nënshkrimet? Le t’ia japë Vjosa Osmanit, sepse ajo po i pret. PDK-ja pas 4 marsit gati për zgjedhje ose për opozitëbërje të re. Takimet dhe taktizimet e patën një të mirë: ia nxorën kokën dhe zbuluan planin për kandidatin e tij partiak për President”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, Behramaj ka thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje, Vjosa Osmani sërish mund të përfundojë në listën e VV-së si kandidate për presidente.
“Përveç tij, nënshkrimet mbase ia jep edhe Vjosa Osmanit si një ‘ngushëllim’ për grimcat elektorale të saj, pasi ia mori edhe Listën Guxo. Me pak fat, ajo mund të përfundojë sërish në listën e Vetëvendosjes për t’u bërë Presidente me një tentativë të dytë, por jo pa u vetëdijesuar për gabimet e saj”, ka thënë ai.






