16.8 C
New York
Wednesday, September 10, 2025

Buy now

Kurti: Të bashkohemi për një shoqëri pa varësi

- Advertisement -

Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe organizatën Labyrinth, ka organizuar sot Konferencën Nacionale “Një komunitet pa varësi”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë u theksua rreziku në rritje i përdorimit të substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë, si dhe angazhimi institucional për të luftuar këtë fenomen me qasje të gjithanshme.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se lufta kundër varësisë kërkon përpjekje të përbashkëta dhe një strategji gjithëpërfshirëse.

“Jemi mbledhur sot për një betejë të përbashkët, një betejë për jetën e dinjitetin dhe për të ardhmen e fëmijëve. Jemi këtu bashkë sepse së bashku po angazhohemi për një shoqëri të lirë ku çdo fëmijë dhe çdo i ri do të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe me shpresë. Qeveria e Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psikosociale dhe shëndetësore me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim dhe riintegrim dinjitoz në shoqëri.

Jemi të përkushtuar në zbatimin e strategjisë shtetërore kundër drogës 2024-2028 si një nga prioritetet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së qytetarëve. Përmes kësaj strategjie dhe planit të veprimit kemi përcaktuar masa të qarta të cilat kombinojnë luftimin e zinxhirëve të shpërndarjes së drogave me forcimin e mekanizmave të edukimit në veçanti tek moshat e reja shkollore por edhe parandalimin e rehabilitimit duke i pasur në fokus. Ne po fuqizojmë policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajnimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë”, tha ai.

Remzije Krasniqi, presidente e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), tha se fëmijët dhe të rinjtë përdorues të substancave narkotike janë një nga kategoritë më të cenuara që shpesh mbeten në hije.

“Viteve të fundit fëmijët dhe të rinjtë përdorues të substancave narkotike dhe përdorues të drogave janë përfshirë ndër tre kategoritë më të cenuara e që kjo ka evidentuar edhe si prioritet për veprim për ne si organizatë edhe thirrje për të tjerët për veprim. Për shkak të rritjes së rrezikut, nevojës për ndërhyrje, përfshirë rritjen e vetëdijesimit, shtimin e investimeve dhe zgjerimin e shërbimeve mbështetëse. Fatkeqësisht kjo kategori e fëmijëve shpesh është në hije për shkak të mungesës së plotë të qasjes në shërbime sociale, shëndetësore rehabilituese por edhe stigma e paragjykimi që e kanë jashtëzakonisht në shoqëri”, tha ajo.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Faton Kutllovci, paralajmëroi për një rritje shqetësuese të abuzimit me substanca psikoaktive në vend. Ai tha se më të prekurit janë të rinjtë dhe adoleshentët e moshës 15-25 vjeç, ndërkohë që janë regjistruar raste edhe tek fëmijët.

“Sipas të dhënave, ndër substancat më të përdorura janë kanabisi, alkooli, qetësuesit, stimulantët si kokaina e të tjerë. Ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të personave që abuzojnë me substanca psikoaktive janë ata familjarë, siç është mungesa e kujdesit prindëror, pastaj ai social duke përfshirë papunësinë. Faktorë të tjerë janë ekonomikët, ankthi, depresioni dhe qasja e lehtë në substanca psikoaktive”, theksoi Kutllovci.

Ndërsa, Safet Blakaj, drejtor në qendrën Labyrinth, tha se duhet marrë me seriozitet programi i nisur për parandalim të përgjithshëm.

“Kemi me insistu që ky program që ka filluar tani për parandalimin gjeneral që të racionalizohet më mirë dhe që të jemi më serioz që tha edhe kryeministri që nuk duhet t’i lëmë të rinjtë që të shkojnë dëm për mosangazhimin tonë”, tha ai

Të ngjashme

Të fundit