13.6 C
New York
Thursday, October 23, 2025

Buy now

Kurti takon Starmerin në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

- Advertisement -

Në kuadër të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Takimi u zhvillua në margjina të samitit pas përfundimit të sesioneve të diskutimeve, si dhe pas takimit të mëhershëm të Kurtit me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për rolin udhëheqës të Britanisë së Madhe në organizimin e samitit dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, në qendër të diskutimeve ishin temat kryesore të samitit: siguria, rritja ekonomike dhe migracioni.

Kurti vlerësoi kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rolin e saj në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

Të dy liderët diskutuan gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, përfshirë energjinë, sigurinë, mbrojtjen, infrastrukturën dhe edukimin.

Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në një kohë kur Kosova po vazhdon investimet në këtë sektor.

Ai falënderoi gjithashtu homologun britanik për vendimin që Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) për të paktën edhe tre vjet.

Në fund të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në arenën ndërkombëtare, përfshirë thirrjen në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare, si dhe kërkesën drejtuar Serbisë për të dorëzuar përgjegjësin për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Të ngjashme

Të fundit