Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, në Bruksel.
Ky takim u zhvillua në kuadër të një darke zyrtare të organizuar për liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në Facebook, Kurti shprehu kënaqësinë për bashkëbisedimin me presidentin Costa, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për të avancuar në rrugën e integrimit evropian.
“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor.
Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Gjithashtu, Kurti gjatë ditës është takuar me shefen e re e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.