Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me përfaqësues amerikanë, duke përfshirë këtu edhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ai ka thënë se kanë diskutuar me rolin e veçantë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë, të cilën Kosova e feston nesër.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit ka njoftuar se Kurti gjatë qëndrimit në Mynih për Konferencën e Sigurisë është takuar edhe me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Pete Ricketts, Chris van Hollen dhe Chris Murphy.
Çështje e diskutimit, ka qenë edhe vendimi për dinarin, sulmi i 24 shtatorit dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike.
“Në mesin e temave që u diskutuan ishin Rregullorja e Bankës Qendrore, mungesa e llogaridhënies për sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit nga Serbia dhe zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.”
Kryeministri Kurti theksoi se rregullorja nuk e ndalon dinarin, por parasheh valutën euro si mjetin e vetëm të pagesës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe në të njëjtën kohë rrit transparencën financiare dhe zvogëlon mundësitë e financimit të aktiviteteve kriminale.” – thuhet në njoftim.