9.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Kurti takon Ban Ki Moon: Qysh e sulmonte dikur ish-sekretarin e OKB-së për planin 6 pikësh?

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa po qëndron në Korenë e Jugut, siç njoftoi zyra e tij, ka takuar ish-sekretarin, Ban Ki Moon.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, janë shpërndarë edhe pamje nga ky takim.

Çka u bisedua?

Kryeministria ka njoftuar se në takim është folur për “rolin e Ban Ki Moon në procesin e shpalljes së pavarësisë”.

Kryeministri ndërkaq, thuhej se e ka njoftuar në lidhje me arritjet dhe zhvillimit në Kosovë prej atëherë, “e veçanërisht së fundi”, këtu duket të jetë fjala për dy vitet sa është në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

“Më tutje kryeministri Kurti e ka njoftuar ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për procesin e integrimit të Kosovës në BE, kalimin me sukses të hapit të parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.” – thuhet mes tjerash në njoftim.

Në fund të komunikatës, bëhet e ditur se ish-sekretari Ban Ki Moon ka thënë se “është i gëzuar për zhvillimet në Kosovë dhe se do të vizitojë rajonin në një moment të volitshëm”.

“Gjatë këtij takimi, z. Ki-moon ka përshkruar edhe rrethanat në OKB përgjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.” – bëhet e ditur në komunikatë.

Ndërkohë, vetë kryeministri Kurti në një intervistë për REL në vitin 2008, konsideronte se letra e Ban Ki Moon-it, “mbante anën e Serbisë”.

“Ban Ki Moon po provon që të fillojë një raund i ri negociatash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ç’rast kryeadministratori i ri i UNMIK-ut, që ai do ta caktojë apo emërojë së shpejti, do të ishte ndërmjetësuesi i radhës. Mendoj se letra e Ban Ki Moon-it është e tillë që ia mban anën Serbisë. Për shembull, ai shpeshherë flet që shumica e serbëve janë kundër pavarësisë – nuk ka ndonjë tregues që ka mundur ta masë konkretisht një gjë të tillë ai.” – ishte shprehur ai.

Si e sulmonte VV-ja planin gjashtëpikësh?

Në disa komunikata e deklarime publike, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i tyre, Albin Kurti e sulmonin planin gjashtë pikësh të Ban Ki Moonit, duke e quajtur madje, “plani famëkeq”.

“Kur në fund të vitit 2008 erdhi 6 Pikëshi famëkeq i Ban Ki-moon-it si një mbindërtim i Planit të Aktisaarit, rrugët e Prishtinës u mbushën sërish me dhjetëra mijëra demonstrues. Që prej atëherë koalicioni qeveritar ka pësuar veçse rënie në sytë e qytetarëve të Kosovës.” – thuhej në një prej komunikatave të VV-së.

Në një tjetër, VV-ja konsideronte se Kosova ka mbetur vend “i negociueshëm” sa i përket organizimit të brendshëm të shtetit, derisa konsideronte se plani i ish-sekretarit ishte “platformë e kompromiseve të reja”.

“Se faktorët ndërkombëtarë pas 17 shkurtit 2008 nuk do të kërkojnë prej institucioneve të Kosovës që t’i lëshojnë pe Serbisë, se pavarësia e Kosovës i bën çështjet e Kosovës çështje të brendshme të Kosovës dhe, si të tilla, të padiskutueshme (sidomos karshi Serbisë). Mirëpo, jo. Kosova vazhdoi të jetë një vend ende i negociueshëm sa i përket organizimit e rregullimit të brendshëm territorial e institucional. Plani 6 Pikësh i Ban Ki-moon-it dhe Protokollet e EULEX-it me Serbinë ishin e janë platforma e kompromiseve të reja. Zaten, burokratët ndërkombëtarë që vijnë nga shtete të fuqishme, nuk na respektojnë neve vendasve sepse kolonizatori kurrë nuk e ka respektuar të kolonizuarin. I gjithë sistemi në Kosovë, me mekanizmat dhe rregulloret e tij, është i formuar asisoj që kolonizatori të ndodhet doemos sipër të kolonizuarve. Ata më parë e respektojnë Serbinë sesa neve, për shkak se kolonizatori megjithatë e sado-kudo e respekton kolonizatorin tjetër. Kur s’janë në luftë kolonizatorët ndërmjet veti, atëherë ata janë partnerë të paqes me njëri-tjetrin. Jo me neve të kolonizuarit.” – thuhet në një tjetër komunikatë të partisë tashmë në pushtet.

VV-ja konsideronte se plani i Ban Ki Moonit e kthente Kosovën prapa, duke shprehur se “fillimisht njerëzit iu gëzuan, e më pas u indinjuan”.

“Në fillim të vitit 2007, njerëzit u gëzuan nga rekomandimi I Ahtisaarit anipse ai propozonte pavarësi të mbikëqyrur dhe jo pavarësi normale. Në fund të vitit 2007, njerëzit u indinjuan fort: nuk u bë pavarësia pas atyre 120 ditëve të negociatave shtesë, por sërish u shty për vitin e ardhshëm. Në fillim të vitit 2008, njerëzit ishin nën ethet e sharadës për ditën e shpalljes së pavarësisë. Në fund të vitit 2008, njerëzit u hidhëruan e u zemëruan: gjashtëpikëshi i Ban Ki-moon-it po e kthente Kosovën prapa” – shprehej kjo parti.

Në një tjetër komunikatë, konsiderohej se “plani famëkeq sjell drejt bosnjëzimit të Kosovës”.

“Pas aksionit pa plan në veri, pas dorëzimit të pushtetit të Qeverisë te KFOR-i, tash aspirojnë ta forcojnë ndarjen faktike dhe ta legalizojnë atë, por pa e bërë ndarje e tillë të brendshme edhe përfundimtare, gjithnjë sipas 6. Pikëshit famëkeq të Ban Ki-moon-it drejt bosnjëzimit të Kosovës.” – thuhej në komunikatë.

Në një tjetër, partiae Kurtit vlerësonte se “plani gjashtë pikësh e bën secilën lagj a fshat serb, komunë”.

“Plani 6 pikësh i Ban Ki-moon-it praktikisht e bën edhe më shumë se komunë secilën lagje a fshat serb në Kosovë. Komuna si njësi më parë territoriale sesa administrative, e bazuar etnikisht dhe nën kontrollin e strukturave paralele, po e rrënon unitetin e brendshëm territorial dhe institucional të Kosovës. Decentralizimi para sovranitetit po e mbyll mundësinë për sovranitet.” – deklaronte partia që sot është në pushtet.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit