-0.3 C
New York
Saturday, November 30, 2024

Buy now

Kurti takoi zëvendësndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan, thekson se Kosova udhëhiqet nga parimi se ligji është mbi politikën

- Advertisement -

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën Zëvendës ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për përkrahjen prej dekadash të ShBA-ve, sidomos nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë.

 

Ai theksoi përkushtimin e lartë të Republikës së Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe përkushtimin e qeverisë ndaj sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi se Kosova është shtet multietnik dhe qeveria po angazhohet që të fuqizojë komunitetet joshumicë.

 

Gjatë bisedës, Kryeministri Kurti e njoftoi me politikat dhe masat mbështetëse të qeverisë për komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara, ndër to mbështetja financiare për qendrat e mësimit dhe bursat për nxënës e studentë nga radhët e po këtyre komuniteteve, procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut me qëllim lehtësimin e qasjes në mundësi të punësimit, fondi i veçantë për grante për OJQ, fermerë e ndërmarrës të ri nga komunitete joshumicë, dhe masat e punësimit për 2000 banorë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

 

Kryeministri Kurti ka shpjeguar se masat e punësimit të Qeverisë, duke përfshirë ato për gratë dhe të rinjtë, kanë kontribuar në një rritje të punësimit prej 20% në tre vjet qeverisje.

Po ashtu, Kryeministri Kurti tha se demokracia dhe zhvillimi shkojnë krah për krah dhe në këtë drejtim theksoi rezultatet e qeverisë gjatë tre vjetëve të fundit në fushën e sundimit të ligjit, siç është konfirmuar nga Indeksi i Sundimit të Ligjit të organizatës ndërkombëtare “World Justice Project”, i cili në 2022 e ka renditur Kosovën në vendin e dytë në të gjithë botën për përmirësim në sundimin e ligjit, pastaj në luftimin e korrupsionit, siç dëshmohet nga përmirësimi për 21 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, në progresin demokratik siç evidentohet nga Instituti V-Dem që na rëndit të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin e demokracisë elektorale, si dhe përparimin në të drejtat civile dhe liritë politike, sipas Raportit të Freedom House të vitit 2023 që gjithashtu na renditë të parët në Ballkanin Perëndimor.

 

Më tej, ai nënvizoi se qeveria udhëhiqet nga parimi se ligji është mbi politikën dhe se e konsideron këtë parim një udhërrëfyes absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

 

Në këtë takim, ai gjithashtu i shprehu zëvendës ndihmës Sekretares brengën e tij në lidhje me spastrimin etnik administrativ të shqiptarëve që po ndodh në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga autoritetet e Serbisë.

 

Kryeministri e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për vizitën, takimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit