Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mirëpriti Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin e Akademisë, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.
Kryetarja Shiroka Pula e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e AShAK-ut. Ajo e njoftoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të AShAK-ut me institucionet shtetërore për nevojat dhe interesat e vendit, përmes ekspertizës që ofron Akademia.
Kryeministri gjithashtu e uroi kryetaren Shiroka Pula për detyrën e saj të re dhe i dëshiroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë, ndër to arsimin dhe drejtësinë, si dhe rëndësinë e tyre për një hov të ri të zhvillimit të vendit, por edhe rolin që bashkëpunimi me AShAK-un mund të luajë në këtë drejtim.
Diskutuan për zhvillimet, progresin dhe sfidat në vend, dhe u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit.






