Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të disa kompanive të njohura të sektorit të teknologjisë së informacionit, në qendrën e famshme botërore të teknologjisë së informacionit, në Silicon Valley të Kalifornisë.
Kryeministri i ka informuar ata për potencialin e lartë për rritjen e sektorit të TI-së në Kosovë, planet e projektet tona qeveritare, si dhe ngritjen e indikatorëve pozitivë të vendit tonë sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë e lirisë.
Takimin e parë e ka zhvilluar me kompaninë, e cila misionin kryesor e ka krijimin e rrjeteve njerëzore e profesionale me qëllim të punësimit: LinkedIn. Në zyrën qendrore të Linkedin, me drejtuesit e kompanisë ka biseduar për mundësitë që ofron Republika e Kosovës, me pozitën gjeografike, stabilitetin institucional, inovacionin lokal, shpirtin ndërmarrës dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar.
Ai i ka njoftuar drejtuesit e LinkedIn për cilësitë atraktive të punëtorëve të rinj në Kosovë: 2 mijë studentë diplomojnë në sektorin e TI-së në Kosovë e Qeveria ndihmon në trajnimin edhe të 4 mijë të tjerëve. Rinia përgjithësisht flet anglisht, kurse diaspora është e madhe dhe kontribuon shumë për ekonominë e vendit.
Kryeministri Kurti ka thënë se aktualisht, 10% të kompanive në sektorin e TI-së janë në pronësi të huaj e 21% në pronësi të përzier ndërkombëtare me vendore në Kosovë. Shtimi i investimeve në këtë sektor, sidomos nga ana e kompanive amerikane, do të krijojë vende të reja të punës, të cilat janë edhe cilësore, edhe të qëndrueshme për qytetarët tanë, ka theksuar ai.
Pas takimit me LinkedIn, kryeministri ka vazhduar me një vizitë te kompania VMWare, një lidere në fushën e “cloud computing” dhe “virtualization technology”, që tashmë përdoret gjerësisht në Kosovë. Aktualisht, VMWare ka 35 mijë të punësuar, prej të cilëve 25 mijë janë në vende të huaja.
Kryeministri Kurti i ka informuar përfaqësuesit e kësaj kompanie për veprimet konkrete që Qeveria jonë ka ndërmarrë për ta bërë Kosovën kontraktuese të ardhshme të shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe të BPO hub të Evropës Juglindore.
Pas këtij takimi, kryeministri Kurti është pritur nga drejtuesit e dy firmave të investimit, Sumeru Equity Partners dhe Andreessen Horowitz. Gjatë këtyre vizitave i ka informuar për disa nga arsyet se pse duhet të investohet në Kosovë: pozita e favorshme gjeografike për të ofruar shërbime për mbi 70 milionë konsumatorë në Evropën Juglindore, fuqia punëtore profesionale, shpenzimet e ulëta operacionale për kompanitë e TI-së, themelimi i Gjykatës Komerciale, mbështetja e ofruar nga Qeveria në zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TI-së nëpërmjet agjendës gjithëpërfshirëse digjitale etj.
Në takimin me drejtuesit e Qendrës Miller për Ndërmarrësi Sociale (Miller Center for Social Entrepreneurship), kryeministri Kurti ka folur për të arriturat gjatë një viti qeverisje dhe kushtet e përmirësuara për investime dhe biznese të huaja, si dhe kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Qendrës Miller dhe Republikës së Kosovës.