Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëherë në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm që vet ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit por sipas tij, një gjë e tillë nuk është pranuar nga palët në takimin e Ohrit.
“Në takimin e Ohrit kam pranuar që draft-statutin ta shkruaj unë por me ato tri shtyllat parimore që duhet pranuar parimisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit para një dekade”, është deklaruar Kurti.
Më tutje Kurti ka thënë se në grupin punues për Asociacionin nuk ka ndonjë anëtarë nga ana e Qeverisë.
“Pra tash i përket ndërmjetësit që ta përcaktojë agjendën e takimit të datës 2 maj, ndërkaq unë do ta takoj në një konferencë ndërmjetësin Lajçak.Nuk ka anëtar të grupit punues nga ana jonë. Unë e kam zëvendësin tim i cili në portofolin e tij është përgjegjës për integrimet evropiane.I përket ekipit menaxhues që të shfaqet por ministri Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim atyre por që nuk kanë pranuar”, tha tutje Kurti.