Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garancion se me votimin e fshehtë do t’i marr 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, sipas tij përderisa votimi i hapur nuk kishte sukses, duhet provuar edhe ai i fshehti, si një mënyrë zgjidhjeje për ngërçin institucional.
Kurti beson se mosprovimi i votimit të fshehtë është gabim dhe dëm, pasi siç ka thënë ai një gjë e tillë është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2014.
“Së pari garancion nuk ka, nuk e dimë ne qind për qind që i kemi 61 vota, por duhet ta bëjmë votimin e hapur, nuk është mirë të paragjykojmë. Nuk e dimë që i kemi 61, mirëpo është detyra e jona që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje. E kërkuam zgjidhjen me votimin e hapur nuk u arrit le ta kërkojmë zgjidhjen me votimin e fshehtë. Unë besoj që është gabim edhe dëm nëse nuk e provojmë sepse Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin nga viti 2014 me pikën 128 124…ka thënë që të gjithë duhet të qëndrojnë në sallë të jenë të pranishëm dhe të votojnë për kundër ose abstenim dhe gjithashtu ka thënë se votimi mund të jetë i hapur, i fshehtë ose mënyra tjera. Pra, e provuam votimin e hapur nuk pati sukses, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë”, ka thënë Kurti në emisionin “Këndi I Debatit” në Tëvë1.