Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e gazetarit Artur Zheji. Kurti tha se i kujton bashkëbisedimet me të, para dhe pas kamerave, duke e quajtur gazetarin shqiptar, si intelektual që shqetësohej, përtej lajmit të ditës.
Postimi i plotë:
Artur Zheji, personalitet i medias së shkruar e asaj televizive është ndarë dje prej nesh në moshën 64-vjeçare. I kujtoj bashkëbisedimet me të, para apo pas kamerave, sepse të rrallë kanë qenë dhe janë gazetarët që, përtej lajmit të ditës, angazhohen e thellohen me seriozitet intelektual te çështjet e subjektet me të cilat ballafaqohen. I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen.
I ati i lindur në Gjirokastër, intelektuali erudit dhe përkthyesi eklektik Petro Zheji. E ëma e lindur në Gjakovë, aktorja e shquar e Teatrit Kombëtar në Tiranë dhe e Kinostudios “Shqipëria e Re”, Besa Imami.
Duke ardhur prej një familje të tillë, është e kuptueshme pse Artur Zheji nuk mund t’ishte i përciptë në trajtimin e Kosovës dhe më gjerësisht shqiptarëve në rajon. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri.
Familjes, të afërmve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe publikut të Petro Zhejit, u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe!