Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sërish ka shkruar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.
Në ditën që është varrosur shkrimtari i madh, Kurti ka vazhduar vlerësimet e larta për kolosin e letërsisë shqipe.
Ai ka bërë me dije se nuk do t`i kishte lexuar as gjysmën e librave të historisë sikur të mos ishin romanet e Kadaresë.
“U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar. Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë. Rend i gjatë: në një rresht njerëz nga të gjitha trevat dhe shtresat. Ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot. As gjysmën e librave të historisë s’besoj se do t’i kisha lexuar sikur të mos ishin romanet e Kadaresë. Letërsi që të cyt kah historia për t’iu rikthyer mandej atyre romaneve. Domosdoshmëria dhe pamjaftueshmëria e historisë, njëkohësisht. Bukuria që ta shuan imagjinatën dhe inteligjenca që ta nxit kureshtjen, po ashtu njëkohësisht. Ndërkohë, fiton kulturë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar për ndikimin që Kadare ka pasur të brezi i tij.
“Brezi im është rritur me Ismail Kadarenë. Me të mësuar shkrim-lexim: Princesha Argjiro. Në fillore: Kështjella. Në gjimnaz: Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Më pas: çdo roman i tij që na binte në dorë. Tash: gjithçka që ka shkruar e botuar. Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh). Pusho i qetë shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.