Në atë letër, Kurti kërkonte lirim e ish-krerëve të UÇK-së.
“Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar. E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kjo letër u publikua sot, në ditën kur bëhen 5 vjet nga arrestimi i krerëve të UÇK-së, letër e cila deri më tash nuk dihej se ekzistonte.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet”, ka shkruar Kurti.
Pesë vjet në paraburgim. Gati tri vjet proces gjyqësor. Beteja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me drejtësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, po shkon drejt fundit. Por, cila ishte historia e kësaj beteje të gjatë? Nacionale sjell të përmbledhur zhvillimet kryesore, të një procesi që u përcoll me ‘dilema’ speciale.
4 nëntor 2020. Orët e para të mëngjesit. Njësitet e EULEX-it, të urdhëruara nga Gjykata Speciale në Hagë, kishin zbarkuar në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urdhri kishte ardhur pas vendimit nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou, për t’ia konfirmuar aktakuzën Jakup Krasniqit. Një bastisje e cila zgjati tetë orë, përfundoi me arrestimin e një prej figurave më të rëndësishme të UÇK-së.
5 nëntor 2020. Hashim Thaçi në rolin e presidentit të Kosovës, fton konferencë për media. Kadri Veseli në kohë pak a shumë të njëjtë, lëshon një deklaratë me shkrim për publikun në Kosovë. Njëjtë kishte vepruar edhe Rexhep Selimit. Ish-drejtori politik i UÇK-së njoftoi dorëheqjen, pas konfirmimit të aktakuzës. Thaçi, Selimi e Veseli shkuan në zyret e EULEX-it, për t’u nisur për në Hagë pasditen e pesë nëntorit.
Këto dy data, do të shënonin nisjen e një procesi gjyqësor të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Me akuzat për krime të luftës e krime kundër njerëzimit, katër prej eprorëve më të lartë të UÇK-së, do të akuzoheshin si ‘maja’ e një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, siç pretendon se ishte UÇK-ja, Prokuroria e Specializuar në Hagë. Edhe pse pritej qe pas konfirmimit të aktakuzës procesi të zhvillohej më shpejt, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në fakt, ajo që ndodhi, ishte krejtësisht e kundërta.






