Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi për ngushëllime familjen Qerkini, me rastin e ndarjes nga jeta disa ditë më parë të më të dashurit të tyre, Bajram Qerkini.
Kurti u shprehu ngushëllime më të sinqerta familjarëve dhe miqve të Bajram Qerkinit, i cili do të kujtohet si shembull i përkushtimit në kërkimin e së vërtetës për të zhdukurit gjatë luftës dhe simbol të forcës dhe durimit të prindit.
“I ndjeri Qerkini, ishte Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, njëherësh edhe përfaqësues i shoqatës së familjarëve në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Të hënën e kësaj jave, Kurti, i dërgoi familjes një telegram ngushëllimi, në të cilin u shpreh se kontributi i Bajram Qerkinit, do të mbetet në kujtesën tonë kolektive për dedikimin ndaj humanizmit dhe do të shërbejë si frymëzim në përpjekjet për çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.