Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, vizitoi shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, në shënim të përvjetorit të mësimit në gjuhën turke.
Të hënën u bën 72 vjet prej se qytetarët e Kosovës patën mundësinë të mësojnë edhe në gjuhën turke, dhe me këtë rast kryeministri Kurti tha se ndjehet krenar për këtë traditë kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.
Para stafit mësimdhënës të kësaj shkolle, kryeministri Kurti tha janë të lumtur që vjet qeveria ka gjetur zgjidhje për të ofruar tekste shkollore mësimore edhe të tilla, që janë cilësore e në gjuhën turke.
Po ashtu, ai përmendi edhe Strategjinë e Arsimit për vitet 2022-2026 që përfshinë subvencione të vazhdueshme për hartimin, rishikimin, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore dhe materialeve të tjera në gjuhën turke, por edhe në gjuhët e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Republikën e Kosovës.