Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria që ai ka udhëhequr për katër vjet, “ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”.
Në mbledhjen e Qeverisë të martën, ai ka thënë se këto rezultate janë mbërritur pavarësisht krizave të ndryshme ndërkombëtare, e pengesave nga opozita, sulmet nga Serbia e edhe debatet televizive.
“Në ballafaqim me pandeminë përballë krizave të energjisë dhe inflacionit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, përkundër pengesave dhe vonesave dëshpëruese me ankesa të opozitarëve në Gjykatën Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra, përfshirë atë për çmimet tavan në produktet bazike e pavarësisht sulmeve paramilitare dhe terroriste e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim dhe përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes Qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Si sukses ka përmendur liberalizimin e vizave, përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK.
“Me neve edhe lëvizim pa viza në Evropë edhe nuk lëvizë kufiri në veri”, ka thënë ai.
Ka thënë se shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë e ofrohen më shumë shërbime. Ai ka thënë po ashtu se për herë të parë në veri po paguhet energjia e po faturohet edhe tatimi në pronë.
“Tabela ilegale dhe patentë shoferë ilegalë nuk ka më se janë konvertuar”, ka thënë ai.
Ka përmendur rritjen e pensioneve e ndarjen e shtesave për lehonat.
Po ashtu ka thënë se është rritur paga në sektorin publik e edhe ajo minimale në sektorin privat. Është zotuar se kjo do të rritet në mandatin e ardhshëm.
“Varfëria është ulur, papunësia është ulur”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij 2021-2025 është trefishuar buxhetin për ushtri e në mandatin e ardhshëm është zotuar për të ndarë mbi një miliard euro.
“Kemi filluar të blejmë për dallim nga më herët, e për dallim nga tani do të prodhojmë atë që blejmë”, ka thënë ai.
Ka përmendur edhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ndalimin e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
“E kemi vënë në qeverisje veriun e Kosovës”, ka thënë ai.
“Këto katër vjet të mandatit tonë ia kanë vlejtur fort për Republikën tonë”, ka thënë ai në hyrje të mbledhjes.