Gazetari Ekrem Krasniqi ka shpërndarë një deklaratë të kryeministrit Albin Kurti, nga intervista e tij të mërkurën në Këshillin Atlantik, ku ky i fundit indirekt thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka përgjegjësi për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se atij i është dukur shumë e çuditshme deklarata e kryeministrit Kurti.
“Kjo po më duket shumë e çuditshme, duket sikur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po thotë se presidenti i Serbisë nuk ka përgjegjësi për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ku Aleksandar Vuçiq bënte pjesë gjatë vitit 1998-1999”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti dëgjohet duke thënë se Vuçiq nuk u konsultua kurrë nga Millosheviq për veprimet e tij.
“Ne e dimë se presidenti i Serbisë ishte ministër i Informimit të Millosheviqit. Unë mendoj se Millosheviq nuk e ka konsultuar kurrë Vuçiqin. Kështu, nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin, që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili kurrë nuk e konsultoi atë”, thotë Kurti.
Në dëgjim të parë, kjo deklaratë e Kurtit duket sikur përpjekje për ta shfajësuar Vuçiqin për krimet serbe në Kosovë.
Kështu, kryeministri Kurti ka lënë të kuptohet se Vuçiq, përderisa nuk është konsultuar nga Millosheviq për krimet në Kosovë, mund të distancohet nga krimet e regjimit të tij, përkundër që ishte në krye të propagandës serbe në atë kohë.
Deklaratën e plotë të Kurtit mund ta dëgjoni në videon mëposhtme:
Lidhur me këtë çështje, Krasniqi para pak minutash ka bërë edhe një reagim tjetër në rrjetin social Twitter, ku ka thënë se sipas Kurtit, “Vuçiq paska qenë ministër engjëll”.
“Kryeministër @albinkurti , Shko në malet e Berishës dhe shihe shtëpinë ku kanë punuar kolegët e mi të Kosovapressit sesi ishte sulmuar nga MiG-at e Millosheviqit ajo. Kush i tha gjeneralëve të tij pse duhet sulmuar Kosovapress në 1999? Sipas teje, Vuçiq paska qenë ministër engjëll”, ka shkruar ai.

Ndryshe, kryeministri dje dha një intervistë për Qendrën e Evropës në Këshillin Atlantik, ku ka folur për shumë çështje.
Ai tash e disa ditë po qëndron në SHBA, ku deri tani ka zhvilluar vetëm një takim të rëndësishëm të zhvilluar te disa shkallë me Këshilltarin e Sigurisë, Jake Sullivan.