Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bazuar në statistikat e Policisë nga 86 vrasje sa janë kryer nga viti 2021 deri më vitin 2024, 81 prej viktimave ishin shqiptarë, tre ishin serbë e dy të etnive tjera.
Kurti në platformën “X” ka theksuar se Serbia po vazhdon me propagandën për dhunën ndaj serbëve në Kosovë, por që sipas tij faktet flasin të kundërtën.
“Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se nga viti ’21 deri më ’24, në Kosovë ka gjithsej 86 vrasje: 81 shqiptarë, 3 serbë e dy të etnive tjera. 3 serbët u vranë në vitin ’22; dy në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe një në Graçanicë. Ka vetëm serbë të dyshuar për tri vrasjet. Në Mitrovicën e Veriut një serb dyshohet se ka vrarë babanë dhe vëllanë e tij. Në Graçanicë, një serb dyshohet se ka vrarë vëllain e tij. Rasti në Banjska është i veçantë ku tre pjesëtarë paraushtarakë serbë vdiqën në shkëmbim zjarri me policinë pas vrasjes së zyrtarit policor Afrim Bunjaku më 24 shtator. Çdo person në Kosovë, vendor apo ndërkombëtar, e di se: propaganda serbe për dhunën kundër serbëve është – propagandë. Faktet flasin vetë, duke hedhur poshtë gënjeshtrat tinëzare dhe duke zbuluar gjatësinë që do të shkonte një regjim autoritar për të mbjellë kaos”, ka shkruar Kurti.