9.6 C
New York
Saturday, March 15, 2025

Buy now

Kurti “prish” raportet edhe me shqiptaro-amerikanët, delegacionin e Vulajt që e pritën Mickoski e Spajic, ai e injoron

- Advertisement -

Përveç raportit të lënduar me Administratat amerikane, republikane e demokrate, kreu i LVV-së dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar të ketë raport problematik edhe me shqiptaro-amerikanët që punojnë e veprojnë në SHBA dhe që angazhohen për çështjen e Kosovës. Martin Vulaj, kryetar i AARC-së, i cili ka vizituar rajonin këto ditë, thotë se është i zhgënjyer me faktin që Kurti ua ka injoruar ftesën e tyre për ta takuar. Ndërkohë këtë delegacion shqiptaro-amerikan e kanë pritur në zyrë, kryeministri maqedonas, Hirstijan Mickoski dhe ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Një delegacion i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane i kryesuar nga shqiptaro-amerikani, Martin Vulaj, kanë realizuar një vizitë në rajon, duke nisur me Kosovën. Vulaj me bashkëpunëtorë më 8 mars kanë takuar shefen e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Në këtë takim me presidenten, Vulaj ka theksuar nevojën për formimin e shpejtë të një qeverie të re, e cila duhet të rishqyrtojë qasjen e Kosovës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç presidentes Osmani në Kosovë, Vulaj ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, atë të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoskin dhe kreun e Qeverisë së Malit të Zi, Milojko Spajic.

Ndonëse Vulajn e kanë pritur në takim Mickoski e Spajic, të njëjtën gjë s’e ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht faktit se Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane kanë kërkuar ta takojnë.

Martin Vulaj në një përgjigje për Gazetën Express lidhur me këtë, ka thënë se kanë bërë kërkesë përmes ambasadës së Kosovës në SHBA për t’i takuar të dy krerët e shtetit të Kosovës, por thotë se ndryshe nga përgjigja pozitive e presidentes Osmani, nga zyra e Kurtit s’iu kanë kthyer fare asnjë përgjigje.

“Ne bëmë një kërkesë zyrtare përmes Ambasadës në Uashington për t’u takuar me Kryeministrin dhe Presidentin. Morëm një përgjigje pozitive nga Presidentja, por nuk morëm asnjë përgjigje nga zyra e Kryeministrit, pavarësisht përpjekjeve tona. Ne gjithashtu kishim dikë në Kosovë që kontaktoi drejtpërdrejt me zyrën e tij”, ka thënë Vulaj për Express.

Aktivisti shqiptaro-amerikan, Martin Vulaj, ka thënë se janë të zhgënjyer që s’kanë pasur mundësinë të takohen me Kurtin, sidomos për shkak të ndryshimeve që po ndodhin, sidomos në politikën e Shtëpisë së Bardhë.

“Ndërsa jemi të zhgënjyer që nuk patëm mundësinë të takoheshim me të, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshimet globale si dhe ato në Uashington, nuk e interpretojmë këtë si diçka negative, duke pasur parasysh situatën intensive pas zgjedhjeve, aktivitetet në Prekaz dhe qëndrimin tonë relativisht të shkurtër në Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar me të gjitha institucionet e Kosovës dhe të gjithë aktorët e saj”, ka përfunduar Vulaj për Gazetën Express.

Express ka provuar që ta telefonojë dy herë zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Parparim Kryeziun, dhe e ka kontaktuar përmes “sms”, për ta pyetur për arsyen se pse kryeministri Albin Kurti s’ka pranuar ta takojë aktivistin shqiptaro-amerikan, Martin Vulaj, megjithatë deri në publikimin e këtij teksti Kryeziu s’ka kthyer përgjigje.

Vulaj përgjatë kësaj vizite në rajon, ka takuar edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe pjesëtarët shqiptarë të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu është takuar edhe me përfaqësues shqiptar në Mal të Zi./GazetaExpress

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit