Puna sociale përbën përpjekje të vazhdueshme për të përmbushur nevojat bazike të qytetarëve, për të rritur përgjegjësinë kolektive e për të ngritur mirëqenien qytetare.
Këto themele të punës sociale materializohen përmes shërbimeve e politikave sociale, që kontribuojnë në eliminimin e rreziqeve, të cilat u kanosen grupeve të cenueshme, pastaj kontribuojnë në zvogëlimin e varfërisë, në mbrojtjen nga diskriminimi e keqtrajtimi, e të tjera. Këto i th sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën nacionale në shënim të Ditës Botërore të Punës Sociale.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës, krahas politikave zhvillimore, në programin e saj ka prioritet mbrojtjen sociale për qytetarët me programet adekuate të qëndrueshme, pra afatgjate.
Kryeministri tha se që nga fillimi i këtij mandati janë ndërmarrë një sërë masash, që ndihmojnë drejtpërdrejt grupet e cenueshme të shoqërisë, duke filluar nga rritja e shumës së asistencës sociale, rritja e pensioneve e fillimi i zbatimit të programit për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, theksoi kryeministri, duke shtuar se si rezultat i këtyre masave, kanë përfituar rreth 26 mijë familje në asistencë sociale, mbi 300 mijë pensionistë, 12 mijë lehona dhe mbi 140 mijë fëmijë.
“Në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, ka vazhduar ofrimi i shërbimeve, si: mbrojtja dhe trajtimi i viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit, fëmijëve me nevoja të veçanta; këshillimi psiko-social, vetëdijësues e edukativ për fëmijë; si dhe strehimi i fëmijëve të keqtrajtuar, viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit. Kështu, janë ofruar rreth 12 mijë shërbime sociale nga Qendrat për Punë Sociale, kurse nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve janë licencuar rreth 48 organizata jo-qeveritare për ofrimin e këtyre shërbimeve”, tha Kurti.
“Si Qeveri mbesim të përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave sociale që në fokus e kanë qytetarin dhe barazinë shoqërore”, theksoi kryeministri.
Ai bëri të ditur se qeveria veçse ka filluar me procesin e reformimit të skemës së asistencës sociale, e cila ka për qëllim eliminimin e kritereve diskriminuese për përfitim nga skema, dhe rritjen e mbulueshmërisë përmes implementimit të testit të ri të varfërisë.
Në anën tjetër, në kuadër të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal, do të prezantohet granti specifik për shërbimet sociale, me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve. Përveç kësaj, këtë vit qeveria do të fillojë edhe me reformën pensionale, e cila synon zhvillimin e një pensioni solidar të bërë sistem, gjithëpërfshirës dhe financiarisht të qëndrueshëm.
Mirëpo, pavarësisht përkushtimit të Qeverisë, për t’u realizuar misioni i punës sociale dhe suksesi i reformave e i politikave, tha se nevojitet përfshirja e stafit akademik dhe angazhimi i profesionistëve socialë, të cilët punojnë dhe sigurojnë që grupet e cenueshme të mbrohen nga çfarëdo lloj diskriminimi, keqpërdorimi apo dëmtimi, theksoi kryeministri, duke falënderuar të gjithë punëtorët socialë, puna e të cilëve çdo ditë e prek jetën e qytetarit, duke i ndihmuar ata.
“Duke synuar rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve sociale dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë, qeveria ka filluar zbatimin e Programit të Praktikës në Punë për studentë të shkencave shoqërore të Universitetit të Prishtinës. Programet e tilla të angazhimit të profesionistëve të rinj socialë, do të vazhdojnë të zbatohen dhe të zgjerohen edhe më tutje, përmes programit të Skemës së Garantimit të Punësimit për të Rinj, e cila do të fillojë e të zbatohet shumë shpejt”, tha tutje.
Kjo konferencë nacionale, me temën “E tashmja dhe e ardhmja e Punës Sociale në Kosovë”, u organizua me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Punës Sociale, nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, me përkrahjen e partnerëve: Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Terre Des Hommes, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), UNICEF dhe Save the Children.