Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ronan Gargan.
Sipas njoftimit, në takim u ritheksuan marrëdhëniet bilaterale mes vendeve dhe përkushtimi i dyanshëm për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit.
“Kryeministri e falënderoi ambasadorin Gargan për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij përgjatë misionit, veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Irlandës për Republikën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar e organizatat evropiane e demokratike ku vendi ynë aspiron të aderojë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se gjatë takimit u tha se marrëdhëniet mes dy shteteve kanë avancuar gjatë viteve të fundit dhe se të dyja vendet ndajnë vlera e parime të përbashkëta.
“U tha se marrëdhëniet e dy shteteve tona kanë avancuar gjatë viteve të fundit e janë karakterizuar dhe nga vizita të nivelit të lartë, sikurse vizita e vitit të kaluar në Kosovë e Ministrit irlandez për Çështje Evropiane, z. Thomas Byrne. U theksua se Kosova dhe Irlanda ndajnë vlera e parime të përbashkëta, të cilat lehtësojnë bashkëpunimin në sfera të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se Kurti dhe Gargan biseduan edhe për situatën në veri dhe zhvillimet e fundit.
“Kryeministri Kurti dhe ambasadori Gargan bashkëbiseduan edhe për situatën në veri të Republikës së Kosovës dhe zhvillimet e fundit. Kryeministri Kurti i uroi fat dhe suksese të mëtejme ambasadorit Gargan në angazhimet e tij të radhës”, thuhet tutje.