Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Albin Kurti priti në takim Drejtoreshën e Përgjithshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, me të cilën, ndër të tjera, kanë folur rreth “projekteve prioritare të 2024ës”, si ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, Gjilan dhe Mitrovicë, ndërtim të rrugëve rajonale, projektin e sinjalizimit dhe telekomunikimit për Linjën 10 hekurudhore, si dhe projekte të tjera që fokusohen në sektorin e energjisë dhe atë të ujërave.
Njoftimi i ZKM-së:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati takuan Drejtoreshën e Përgjithshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Charlotte Ruhe, Drejtorin e BERZH-it në Kosovë, Sergey Maslichenko si dhe zëvendësdrejtorin e BERZH në Kosovë, Arianit Blakaj.
Në takim u diskutuan tetë projektet aktuale që Qeveria e Kosovës është duke i zbatuar në bashkëpunim me BERZH, siç është projekti për efiçiencë të energjisë në ndërtesat publike në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Ferizajt si dhe projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, u diskutuan disa nga projektet prioritare për vitin 2024, përfshirë ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë, Gjilan dhe Mitrovicë, ndërtimin e rrugëve rajonale, projektin e sinjalizimit dhe telekomunikimit për Linjën 10 hekurudhore, si dhe projekte të tjera që fokusohen në sektorin e energjisë dhe atë të ujërave.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit e BERZH për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e këtyre investimeve, sidomos në avancimin e kapaciteteve për shfrytëzim të energjisë së ripërtritshme.