Kanë mbetur më pak se pesë ditë të plota afat për Albin Kurtin që t’i bëjë 61 votat në Kuvend, ku më së largu të dielën duhet ta paraqesë për miratim përbërjen dhe programin e qeverisë së re.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ndërkohë po qëndron në Londër, nga ku sot tregoi se nuk po e ka “kollaj” të gjejë partnerë për qeverisje. Në një takim me mërgimtarë atje, u ankua për atmosferën e “intoksikuar” në skenën politike në Prishtinë, por tha se ka bisedime.
“Do të përpiqemi maksimalisht deri në ditën e dielë më së largu… Të hënën ose e kemi bë qeverinë, ose s’e kemi bë. Prandaj në këto ditët e mbetura jemi duke komuniku, jemi duke bisedu. Nuk është kollaj, se s’di si me ua shpjegu – ndoshta pak e keni ndje edhe ju vetë – por është intoksiku atmosfera shumë. Ka shumë xhelozi e inate, shumë më shumë sesa ide, punë e pasion”, tha ai.
Në të kundërtën, ai tha se do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.
“Siç po duket, alternativa është.. duhet të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë, ose do të shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre alternative”.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilin Albin Kurti u takua e bisedoi më së shumti – por pa sukses – për krijimin e një shumice të re, ka thënë së fundmi se s’bën marrëveshje me LVV-në me Dimal Bashën kryetar të Kuvendit.
Limaj kishte insistuar që ta merrte postin e kryeparlamentarit pa e bërë partinë e tij pjesë të qeverisë së re me Kurtin, diçka që ky i fundit s’e kishte përfshirë në një ofertë finale që ia kishte bërë atij për marrëveshje.
Për ofertë, për herë të parë më gjerësisht, Kurti u foli mërgimtarëve shqiptarë të Londrës.
“Me Partinë Guxo nëse ajo i ka gjashtë deputetë jemi marrë vesh për dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm Nismës me ia dhënë me tre deputetë një ministër, nënkryetarin e Kuvendit. Po t’ish bë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mundur të bëhet nënkryetar Kuvendi, se duhet kryetari dhe nënkryetari me qenë të gjinive të ndryshme. Paramendoje këtë situatë kur Albulena Haxhiu bëhet kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj bëhet nënkryetar i Kuvendit – se ia ka pasë pesëfish vota më pak se Albulena – e kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë. Kjo është racionale. Maksimumi i të mundshmes. Ama ‘ama ti mu qeta se ta kam gjetë ditën’ – faleminderit po…”
Kështu ishte situata, sipas Kurtit, i cili nuk përmendi se po bisedon edhe më tutje me Limajn.
“Qytetarët kanë votuar që të kenë institucione, e jo që të rikthehen në zgjedhje”, tha presidentja Vjosa Osmani dje në një prononcim para gazetarëve.
“Unë nuk do të ngutesha që të japë supozime që do të dështohet në krijimin e qeverisë. Ka ende edhe pak kohë. Ta shohim”, tha ajo.
“Sa i përket përpjekjeve të partive politike, po rikthehem pak te përvoja ime kur kam qenë edhe unë në parti. Shumica e këtyre diskutimeve mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura. Shpeshherë ju e merrni vesh shumë vonë. Madje nganjëherë edhe ne që ishim në parti e merrnim vesh shumë vonë. Ju kujtohen disa prej koalicioneve të tilla”, tha Osmani.
Presidentja tha se nuk do të sugjeronte se nuk ka përpjekje.
“Vetëm sepse ne nuk i dimë, nuk do të thotë që ato nuk janë duke ndodhur. Nuk jam e sigurt në qoftë se ka përpjekje, nëse ato janë të mjaftueshme, sepse si Presidente nuk ndërhyj në diskutimet mes partive politike. Thjesht çka mund të bëj, është t’u uroj suksese të plota në krijimin e qeverisë, e cila do të marrë vendime në interes të qytetarëve”, tha ajo.
Kurti refuzoi të tregonte në një konferencë për media javën e kaluar se kë prej subjekteve politike e preferon për partner në qeverinë e re. Nuk tha as se cilën parti do ta ftojë të parën për bisedime.
Nëse Kurti nuk arrin ta krijojë një shumicë të re parlamentare dhe nuk i merr 61 votat e nevojshme në Kuvend, presidentja “brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, thotë Kushtetuta.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, siç parasheh pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës./Express/