Gjuha e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje pas fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe asaj të kohëve të fundit kur u shteruan të gjitha zvarritjet në Kuvend ndërroi drastikisht. Përveç zbutjes, Albin Kurti, në konferencën e djeshme për media, pati plot rezerva për drejtimin që po e merr skena politike. Ai vetë paralajmëroi se zgjedhje të reja mund të mbahen edhe në dhjetor edhe në pranverë, por këtë e shoqëroi me një ‘keqardhje’.
Albin Kurti të dielën që shkoi realizoi një skenar që përflitej shumë nga analistët e në kuloare. Ai hyri në seancë të parlamentit të Kosovës pa bërë ndonjë marrëveshje koalicioni për qeverinë e re. Pas një ekspozeje që e bëri aty se çfarë ka bërë e çfarë synon të bëjë si Kurti 3, dështoi t’i marrë votat e deputetëve. Vetëm 56 votuan pro.
Ky veprim duket se përfundimisht po e çon vendin në zgjedhjet të reja pas muajsh zvarritjeje.
Më 9 shkurt VV dhe Kurti nuk kishin arritur të merrnin nga qytetarët atë që donin- votë masive për të udhëhequr vetë.
Ditëve të fundit madje Kurti i shfaq “i hapur” që edhe partitë opozitare të tentojnë ta bëjnë një qeveri të tyren që vendi të shkojë në zgjedhje.
Tani që mundësia po bëhet realitete duke u përmendur edhe data për to, Kurti mbrëmë me tone ankese e skeps, foli për rrugën në të cilën do të ecë vendi muajt e ardhshëm
Në një konferencë për media nga objekti i qeverisë, Kurti i ndau pikëpamjet e tij gazetarët të cilët e pyetën për rrugën përpara pas ngërçit e dështimeve për t’i funksionalizuar institucionet.
“Së pari ne ende s’kemi marrë ftesë nga zonja Presidente. Natyrisht që do të konsultohemi me të. E dimë që për herën e dytë eventualisht është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë”, tha Kurti për Vjosa Osmanin.
Ai më pas shprehi ‘keqardhje’ që qytetarët do të përballen me zgjedhje të njëpasnjëshme.
“Ajo çfarë dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë duket që të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe zgjedhjet e reja parlamentare. Mbase është për të ardhur keq që do të mund të kemi përveç balotazhit edhe dy herë zgjedhje”, tha ai.
“Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë. Sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund ti bëjmë kollaj 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe i kemi vetëm 4 muaj deri të zgjedhja e presidentit apo presidentes”, shtoi Kurti.
Duke folur në shumës, Kurti tha se kanë mundur që t’i kursejnë qytetarët nga një palë zgjedhje, në një ankesë të aluduar për refuzim të koalicioneve me partitë që ai deshi të lidhej.
“Afatet kohore po ikin me shpejtësi dhe është për të ardhur keq se përveç balotazhit do të mund të kemi dy herë zgjedhje, kemi mundur së paku këto zgjedhje të dhjetorit t’i evitojmë dhe t’i kemi ato në pranverë”.
Kurti në fund tha se tash topi është te presidentja dhe lëvizjet që do të ndërmarrë ajo me propozimin e mandatarit të dytë ose jo derisa shprehi vetëdijen se zgjedhjet janë të pashmangshme.
“Por, le të presim tash, janë 10 ditë afat për zonjën presidente për rrugën përpara, e cila në bazë të të gjitha fakteve e shenjave është veçse ajo e zgjedhjeve të reja”. /Express/






