Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Masakrën e Rezallës, duke theksuar se dëshmitë e gjenocidit të kryer nga Serbia mbeten ende të freskëta në gjithë vendin.
Në një postim në Facebook, ai rikujtoi se më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem në këtë masakër, ndërsa trupat e tyre u zhdukën nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur krimin.
Një pjesë e tyre është gjetur më vonë në varreza masive në Serbi, përfshirë Rudnicën dhe Kizhevakun.
“Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë”, ka shkruar Kurti.
Kurti theksoi se Serbia ende fsheh informacione për varreza të tjera masive dhe bëri thirrje për angazhim ndërkombëtar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai kërkoi gjithashtu që drejtësia në Kosovë të veprojë pa vonesë për të sjellë para ligjit përgjegjësit për këto krime.
Duke nderuar viktimat, kryeministri theksoi se nuk duhet lejuar harresa e mizorive të luftës dhe u zotua për përkushtim ndaj një të ardhmeje të sigurt për brezat e rinj.
“I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit! Lavdi!”, ka shkruar tutje Kurti.
Postimi i plotê:
Dëshmitë e gjenocidit të Serbisë janë të freskëta gjithandej në Kosovë. Të njoma janë plagët e familjarëve të të vrarëve në Masakrën e Rezallës, ku më 5 prill 1999 u vranë 98 burra dhe djem.
Pas ekzekutimit mizor, në përpjekje për të fshehur krimin, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku, në vitin 2021 u kthyen në tokën e Kosovës eshtrat e shtatë prej të vrarëve, mes tyre edhe raste të ribashkimit të eshtrave të zhvarrosura vite më parë në Rudnicë.
Ende Serbia fle mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. Mbi 950 civilë të paarmatosur u masakruan në Kosovë, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Ende Serbia i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj.
U bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e qytetarëve tanë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve. Institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës duhet të veprojnë pa vonesë, që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë.
Nuk mund të lejojmë që harresa të mbulojë mizoritë e luftës në Kosovë, siç nuk mund të mbulojë dheu i varrezave masive të vërtetën për krimet e kryera nga Serbia.
Duke nderuar të kaluarën dhe duke kërkuar drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë dhe të sigurt.
Në këtë datë që është dëshmi e dhimbjes dhe qëndresës së popullit tonë, nderojmë të vrarët në Rezallë. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
Lavdi!






