Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në 24 vjetorin e masakrës së Rezallës, ku u pushkatuan 98 burra dhe djem të rinj nga forcat serbe, ka thënë se e vërteta e ditës së 5 prillit të vitit 1999, nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive.
“Para 24 vitesh, 98 burra dhe djem të rinj u pushkatuan në Rezallë, nga forcat e armatosura të Serbisë. Në përpjekje të zhdukjes së krimit, i rrëmbyen kufomat. Disa u gjetën të groposur në varreza masive në Kizhevak dhe në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. E vërteta e ditës së 5 prillit të vitit 1999, nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive. Nderojmë sot kujtimin e të vrarëve dhe të zhdukurve me dhunë në Rezallë. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi” ka shkruar Kurti në Facebook.