Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Bukoshit.
Kurti shkruan se si ndodhi kjo masakër, e si u vranë 25 burra e djem të rinj.
I pari i qeverisë nderoi familjarët e tyre dhe qëndresën që ata kishin.
“25 vjet nga Masakra e Bukoshit. Pasi i ndanë nga kolona, 25 burra e djem të rinj i dërguan në oborrin e shkollës në Bukosh. Forcat policore të Serbisë i rreshtuan ata te muri dhe i pushkatuan me breshëri plumbash”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Familjet e tyre i detyruan të vazhdojnë ecjen në kolonën e të dëbuarve nga fshatrat e Suharekës. Në këtë përvjetor përkujtojmë civilët shqiptarë të vrarë më 3 maj 1999, dhe nderojmë familjet e tyre për qëndresën”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për ta! Lavdi!”.