-6.2 C
New York
Thursday, January 29, 2026

Buy now

Kurti përkujtoi dëshmorët Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi dhe mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të dëshmorit, Ilir Mërturi

- Advertisement -
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bëri homazhe sot pranë varreve të dëshmorëve, Vesel Avdyli, Ilir Mërturi dhe Naim Gashi, në 27-vjetorin e rënies së tyre. Pas homazheve, kryeministri mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar dëshmorit, Ilir Mërturi, në Parkun e Qytetit të Klinës.

 

“Medaljoni i kujtesës që porsa zbuluam sot për Ilir Merturin në këtë park, që po ashtu mban emrin e tij, është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike. Është kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre. Kjo pllakë është amanet për brezat që do të vijnë, që ta kuptojnë se liria është fituar mbi dhimbje të mëdha njerëzore dhe humbje të pakompenzueshme njerëzish dhe se ruajtja e mbrojtja e saj kërkon përgjegjësi dhe përkushtim, si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga shoqëria mbarë”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij.

 

Në fund të janarit 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës. 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërkaq nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë. Lavdi dëshmorëve Mërturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar. Nderim të gjithë martirëve të lirisë!

 

Fjala e plotë e kryeministrit:

 

Të nderuar familjarë të dëshmorëve dhe martirëve,

Të nderuar veteranë e invalidë të luftës,

I nderuari Kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj

I nderuari Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

I nderuari zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Enver Cakiqi,

I nderuari zëvendësministrit i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Taulant Kelmendi,

Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore e lokale,

Të nderuar ushtarakë, oficerë e ushtarë, dhe policë të Kosovës,

I nderuari baca Lilë, prind i Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit,

Të nderuar përfaqësues klerikë fetarë, Mulla Xhevat,

Të nderuar qytetarë të Klinës,

Zonja dhe zotërinj, të dashura motra dhe vëllezër,

 

Në këtë vend që mban emrin e tij, sot nderojmë historinë e sakrificës për liri, teksa përkujtojmë Ilir Merturin.

 

Në familjen e tij atdhedashëse, Iliri kishte mësuar se atdheu është edhe përgjegjësi. I përgatitur si oficer rezerv, ai nuk e pa këtë dije si privilegj personal, por si obligim kombëtar për t’u vënë në shërbim të luftës për liri.

 

Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç luftëtarit me armë në dorë, Iliri ishte edhe dorë që ndihmonte gjithandej. Ishte trimi humanist që kujdesej  për të plagosurit, duke siguruar barna e duke shpëtuar jetë, në ditët kur vdekja ishte më afër se shpresa.

 

Në një përballje të pabarabartë, duke mbrojtur popullatën civile, Iliri bashkë me 20 shokë, ranë heroikisht.

 

Në fund të janarit 1999, forcat e armatosura të Serbisë vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden dhe Bishtazhin të Gjakovës. 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë duke mbrojtur popullatën civile, ndërkaq nëntë civilë u ekzekutuan pa mëshirë.

 

Të nderuar të pranishëm,

 

Historia e sakrificës për Republikën e Kosovës dhe lirinë e popullit tonë është e shtrirë ndër breza. Sot, në këtë ditë kujtese për dëshmorët Mërturi, Avdyli dhe Gashi, unë po vij nga Mitrovica, ku më 29 janar 2001, në veri të Ibrit atje, pra para 25 vjetëve, u vra Gazmend Brahimi, i mituri vetëm 15-vjeçar, e që sivjet do të bëhej burrë 40 vjeç. Kujtimi i tij na rikujton se rruga drejt çlirimit të plotë dhe paqes së qëndrueshme ka qenë e gjatë dhe e dhimbshme, dhe është tejet e vlefshme për ta ruajtur të gjithë ne bashkë.

 

Iliri dhe Gazmendi u përkasin brezave të ndryshëm,  konteksteve të ndryshme kohore, por të dy dëshmojnë se historia e popullit tonë është histori qëndrese dhe sakrifice të pandërprerë.

 

Të dashur motra dhe vëllezër,

 

Medaljoni i kujtesës që porsa zbuluam sot për Ilir Merturin në këtë park që po ashtu mban emrin e tij, është shenjë e respektit shtetëror për flijimin e tij, dhe e angazhimit tonë për të vërtetën historike.

 

Është kujtesë që na thërret çdo ditë, që ta mbajmë Kosovën ashtu siç e deshën ata: të lirë, të zhvilluar e të përparuar, të denjë për sakrificën e tyre. Kjo pllakë është amanet për brezat që do të vijnë, që ta kuptojnë se liria është fituar mbi dhimbje të mëdha njerëzore dhe humbje të pakompenzueshme njerëzish, dhe se ruajtja e mbrojtja e saj kërkon përgjegjësi dhe përkushtim si nga institucionet e shtetit ashtu edhe nga shoqëria mbarë.

 

Sot përkulemi me nderim para të gjithë atyre që dhanë jetën për liri, dhe riafirmojmë zotimin tonë për dinjitet qytetar, për drejtësi shoqërore dhe për paqe të sigurt në Republikën e Kosovës.

 

Lavdi dëshmorëve Mërturi, Gashi dhe Avdyli, dhe të gjithë dëshmorëve të të gjitha epokave të kombit shqiptar. Nderim të gjithë martirëve të lirisë!

 

Të ngjashme

Të fundit