20.3 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Kurti përcolli ushtrimin fushor ndërkombëtar “Defender Europe 25” në Babaj të Bokës

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, bashkë me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu dhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përcolli ushtrimin fushore ndërkombëtar “Defender Europe 25”, që u mbajt në poligonin taktik në Babaj të Bokës.

Para të pranishmëve të shumtë, në mesin e të cilëve edhe gjeneralë amerikanë të ushtrisë së SHBA-ve, oficerë e ushtarakë të tjerë, edhe nga Republika e Shqipërisë, e Kroacisë, e Bullgarisë, dhe e Maqedonisë së Veriut, kryeministri në detyrë Kurti tha se me këtë ushtrim tejet të rëndësishëm për ushtrinë tonë, kemi arritur që të tregojmë, të demonstrojmë fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi me NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë, që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin të cilin do ta japë.

 

“Në Defender Europe 25 kanë marrë pjesë gjithsej 29 shtete dhe ne kemi pasur privilegjin të jemi në mesin e 18 shteteve nikoqire. Gjithsej kanë qenë 25 mijë ushtarë, me ç’rast Kosova ka marrë pjesë me 938 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Bashkëpunimi dhe ushtrimi e nxjerrin më të mirën edhe të ushtrisë edhe të ushtarakëve, pra të oficerëve, nënoficerëve dhe të ushtarëve dhe kjo është parë në këto gati 10 ditë prej se ka filluar ky ushtrim”, tha kryeministri Kurti.

 

Ai nënvizoi faktin se është dyfishuar numri i ushtrisë, janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit, është trefishuar buxheti për mbrojtje e është qindfishuar ai për municion e për armatim, gjithnjë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera aleate e partnere.

 

Për poligonin taktik ku po zhvilloheshin ushtrimet, kryeministri Kurti tha se ai po bëhet si zonë e trajnimit ndër më të mirat në rajon e më gjerë. “4500 hektarë tokë i kemi shpronësuar dhe tash Ministria e Mbrojtjes është pronare këtu në Babaj të Bokës, Devë edhe Shishman, në mënyrë që të tregojmë përkushtimin tonë për trajnimet e vijueshme, të cilët i ngrisin edhe aftësitë, edhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, shtoi ndër të tjera.

 

Në fund të fjalës kryeministri Kurti falënderoi gjeneralët amerikanë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë oficerët dhe ushtarakët, duke thënë se bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë dhe se shteti i Kosovës kurrë ka nuk ka qenë më i fuqishëm e i sigurt.

 


Fjala e plotë kryeministrit Kurti:

 

Mirdita të gjithëve në këtë ushtrim tejet të rëndësishëm për ushtrinë tonë, për bashkëpunimin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerë të tjerë nga NATO-ja, e në këtë rast, konkretisht Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë. Kemi arritur që të tregojmë, të demonstrojmë fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi me NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë, që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin të cilin do të japë.

Në Defender Europe 25 kanë marrë pjesë gjithsej 29 shtete dhe ne kemi pasur privilegjin të jemi në mesin e 18 shteteve nikoqire. Gjithsej kanë qenë 25 mijë ushtarë, me ç’rast Kosova ka marrë pjesë me 938 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Bashkëpunimi dhe ushtrimi e nxjerrin më të mirën edhe të ushtrisë edhe të ushtarakëve, pra të oficerëve, nënoficerëve dhe të ushtarëve dhe kjo është parë në këto gati 10 ditë prej se ka filluar Defender Europe 25.

I gjithë ky armatim që po e shihni këtu të demonstruar është blerë gjatë këtyre tri viteve të fundit, përveç një automatiku “Heckler & Koch”, vetëm një automatik ka qenë edhe më herët. I gjithë armatimi që e shihni është blerë gjatë këtyre tri viteve të fundit, sepse ne e kemi dyfishuar numrin e ushtrisë, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje dhe kemi qindfishuar atë për municion e për armatim, gjithnjë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera aleate e partnere.

Gjatë këtij ushtrimi ju e patë se sa të zotë janë ushtarakët tanë, por gjithashtu ne kemi nderin dhe kënaqësinë që të jemi në këtë poligon, i cili si zonë e trajnimit po bëhet ndër më të mirat në rajon dhe më gjerë. 4500 hektarë tokë i kemi shpronësuar dhe tash Ministria e Mbrojtjes është pronare këtu në Babaj të Bokës, Devë edhe Shishman, në mënyrë që të tregojmë përkushtimin tonë për trajnimet e vijueshme, të cilët i ngrisin edhe aftësitë, edhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Falënderoj edhe njëherë gjeneralët amerikanë të ushtrisë së SHBA-ve që janë këtu me neve, të gjithë oficerët dhe ushtarakët, të cilët kam pasur nderin t’i vizitojë edhe gjatë ditëve të mëhershme, por falënderoj po ashtu edhe të gjithë ata që morën pjesë nga Republika e Shqipërisë, e Kroacisë, e Bullgarisë, dhe e Maqedonisë së Veriut.

 

Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë. Shteti i Kosovës kurrë ka nuk ka qenë më i fuqishëm e i sigurt.

Faleminderit ministër, presidente, gjeneralë amerikanë dhe gjithë ju tjetër të pranishëm.

 

Të ngjashme

Të fundit