Home Lajme Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendos pasi ta kuptoj gjendjen e policëve të kidnapuar

Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendos pasi ta kuptoj gjendjen e policëve të kidnapuar

0
Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendos pasi ta kuptoj gjendjen e policëve të kidnapuar

Autoritetet e Kosovës i janë përgjigjur Bashkimit Evropian, lidhur me takimin e thirrur në Bruksel.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk i është përgjigjur kësaj ftese të BE-së, pasi paraprakisht kërkon të dijë për gjendjen e tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga forcat serbe.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se shefi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari, të martën, do t’i vizitojë policët në qendrën e paraburgimit në Kralevë.

Kurti ka theksuar edhe njëherë nevojën për sundim të ligjit në veri, si parakusht për zvogëlimin gradual të numrit të policëve atje.

Lirim të menjëhershëm të policëve, ka kërkuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke paralajmëruar për prishjen e raporteve me Serbinë.

Por, që gjithashtu ka kërkuar nga homologu i tij kosovar që t’i marrë parasysh kërkesat e faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”.

E rol më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin e policëve, ka kërkuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sipas të cilit Kurti duhet t’i tejkalojë inatet personale e të bashkëpunojë me ndërkombëtarët.

“Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta. Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”

Për situatën në veri të vendit, edhe partitë e tjera opozitare i kanë bërë thirrje qeverisë që të ndërmarrë çdo veprim në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Për rastin e rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë, kryeministri Kurti, ka raportuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Exit mobile version