Kurti për rastin e Igor Popoviqit: Sulmoi vlerën më të shenjtë, që është UÇK’ja- Vuçiqi s’mund të flasë me gjuhën e Millosheviqit në Kosovë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka komentuar deklaratat kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas arrestimit të Igor Popoviq për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, përmes deklaratave të tij kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një konferencë për media të hënën, Kurti deklaroi se Vuçiq kërcënoi Kosovën përmes deklaratave të tij të 20 korrikut.
“Rasti i Igor Popoviqit, arrestuar mbi bazë të dyshimeve për kryerjen e veprave penale… më 18 korrik sivjet nuk është përjashtim. Ai po trajtohet nga institucionet e drejtësisë me profesionalizëm. Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bëra më 20 korrik sivjet, janë kërcënuese dhe tërësisht të papranueshme. Kur një president lëshon kërcënime publike nuk mund të konsiderohet qëndrim individual, por politikë shtetërore“, deklaroi ai.
“Duke sulmuar vlerën më të shenjtë që është UÇK, përmes deklarimeve qartësisht të sinkronizuara, ata kanë për qëllim nxitjen e tensioneve. Deklaratat e tilla bëjnë kërcënim të drejtpërdrejt për paqen në Ballkanin Perëndimor“, vijoi Kurti.
Kurti po ashtu përmendi raportimet e mediave, se anëtarë të grupit terrorist në Banjskë kanë mbrojtur së afërmi përgjatë protestave të studentëve serbë kundër Vuçiqit.
“Ne nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit, por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin, rendin dhe demokracisë tonë. Vuçiq me gjuhën e Millosheviqit mund të flasë në Serbi. Ka kaluar një herë e mirë që këtë ta bëjë në Kosovë”, tha ndër të tjera Kurti