Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë një intervistë për median gjermane Stern ku ka folur për problemet aktuale me të cilat përballet Kosova.
Kryeministri ka thënë se Kosova është një vend demokratik, sovran dhe i pavarur që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ai thotë se ka pasur përmirësim të ndjeshëm të vendit në Indeksin e Transparency International sa i përket përceptimit të korrupsionit në vend.
Në këtë intervistë tema qendrore kanë qenë raportet me Serbinë dhe situate e sigurisë në Kosovë.
Ai nuk e ka përjashtuar një ndërhyrje tjetër të Serbisë si ajo që kishte ndodhur në shtator të këtij viti në fshatin Banjskë.
“Të gjitha problemet që kemi me sigurinë kombëtare, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial vijnë nga Serbia. Ne i mbështesim serbët në Kosovë në mënyra të ndryshme: ndërtojmë shtëpi, ndihmojmë fermerët etj. Por sa më shumë të mira të bëjmë për serbët në Kosovë, aq më nervoz dhe agresiv bëhet Beogradi. Në vitet e fundit, Beogradi është bërë edhe më nervoz sepse mbështetja për partinë e presidentit Vuçiq ka rënë ndjeshëm në Kosovë”.
Kurti ka thënë se edhe lufta kundër krimit të organizuar në veri ka shqetësuar grupet kriminale.