Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është gëzuar fitoreve të koalicionit VLEN në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet lokale.
Ai tha se ata triumfuan me “punë të ndershme” dhe se fitorja e tyre ishte “konfirmim i qeverisjes së mirë” të VLEN-it.
“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti e Bilalli, triumfuan me meritë sepse me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen, me diferencë të thellë. Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”.
Sipas Kurtit, 15 muajt e qeverisjes së VLEN në qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski të VMRO-DPMNE, me të cilën parti është në koalicion, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet.
“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellë një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtjesor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka shkruar Kurti.
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut votuan më 2 nëntor në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në 33 komuna, përfshirë kryeqytetin, Shkupin






