Në ngjarjen e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me temën “Zhbëjmë paragjykimet, punojmë për gjithëpërfshirjen”, me rastin e Ditës së Gruas, 8 Marsin, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i nderuar që sot, në këtë ditë të veçantë të bashkëbisedohet për zhbërjen e paragjykimeve dhe punën për gjithëpërfshirje.
Barazia gjinore është themeli i barazisë shoqërore, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se për zhvillimin e gjithmbarshëm, parakusht është zhvillimi i kapitalit njerëzor, e qasja e barabartë në mundësitë për zhvillim, për gratë dhe burrat, e vajzat dhe djemtë.
“Gratë e bëjnë aktivizmin e dyfishtë: merren me politikat e përgjithshme, por gjithsesi edhe me çështjet gjinore. Gratë nuk punojnë vetëm për gratë, por ato punojnë po ashtu edhe për gratë, sidomos për gratë. Duhet t’i aktivizojmë gratë e shkolluara e duhet t’i shkollojmë sa më lartë gratë aktive” theksoi kryeministri në fjalën e tij.
Kreu i Qeverisë, Kurti, veçoi disa nga të arriturat në këtë fushë si atë për ndarjen e shtesave për më shumë se 142 mijë fëmijë të porsalindur brenda këtij viti, e kjo sipas tij, për të arritur rezultate të drejta në rrugëtimin e përbashkët, është e domosdoshme barazia në fillim të shtegut.
Pastaj, për të ndihmuar avancimin e vajzave në shkencë, këtë vit akademik, kryeministri tha se janë ndarë 1365 bursa për vajzat në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës si dhe janë e duke finalizuar projektligjin për tekstet shkollore që në fokus ndër të tjera ka edhe promovimin e barazisë në tekste, pa dallim gjinie, përkatësie fetare, etnike a racore, ndryshim të normave patriarkale e formësim të duhur mbi rolet gjinore.
Krijimi i mundësive të barabarta, u shpreh më tej ai, është objektivi i parë strategjik në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore, që gratë të përfitojnë nga zhvillimi, por edhe kontribuojnë, që të rrisim përfshirjen, e pjesëmarrjen aktive.
Me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, kreu i Qeverisë, shtoi se kanë zbatuar masa aktive për punësimin e grave, nga të cilat kanë përfituar mbi 3000 gra dhe vajza. Ndërsa kemi zbatuar edhe masa të tjera mbështetëse për gratë, si ajo për lehonat, nga të cilat vazhdojnë të përfitojnë rreth 12.000 nëna të reja
Kryeministri Kurti bëri të ditur se vitin 2022 e kanë filluar me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.
“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë, jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna, të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima, si dhe të vendoset kryerësi para përgjegjësisë”, tha Kryeministri në fund të fjalës së tij, duke potencuar se ky është vizioni i kësaj strategjie, që do të drejtojë punën tonë të përbashkët