Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se përbërja e re qeveritare do të përfshijë shumicën e emrave të prezantuar më herët, por edhe emra të rinj.
Ai tha se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe formimi sa më i shpejtë i qeverisë.
Kurti theksoi se në Kuvend duhet të miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe Plani i Rritjes me Bashkimin Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro.
Sipas tij, obligim i veçantë institucional mbetet edhe miratimi i buxhetit për vitin 2026.
“Do të ketë shumë prej emrave të cilët tashmë i kam prezantuar, edhe unë edhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar. Mirëpo nuk do të jenë identik, do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që si parti ta konstituojmë Kuvendin, dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë. I kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi Planin e Rritjes me BE-në në vlerë prej 882.6 milionë euro, e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvend, pa harruar atë që e kemi përgjegjësi më shumë, obligim, e ky është buxheti për vitin 2026”, tha Kurti.
Sa i përket pozitës së Presidentes, Kurti s’pranoi të përgjigjej nëse kishte pasur takime.
“Njëherë t’i përmbyllim këto tri hapa, pastaj edhe te hapi i katërt mund të ecim mbarë e mirë”, tha ai.






