2.7 C
New York
Tuesday, February 17, 2026

Buy now

Kurti: Parada e sotme s’është demonstrim force, por dëshmi e pjekurisë së shtetit

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij para fillimit të paradës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë, ka thënë se Kosova është shtet i lindur nga rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe mbështetja ndërkombëtare.

Kurti ka theksuar se liria e Kosovës nuk nisi, më 17 shkurt 2008, por ishte rezultat i përpjekjeve ndër breza dhe i luftës së drejtë të UÇK-së, e cila, sipas tij, bashkë me ndërhyrjen e NATO-s, i dha fund regjimit shtypës të Millosheviçit dhe hapi rrugën e shtetësisë.

Ai ka deklaruar se Kosova beson në drejtësinë ndërkombëtare, por nuk do të pranojë rishkrimin e historisë së luftës çlirimtare, duke iu referuar proceseve gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë”, ka deklaruar ai.

Duke iu drejtuar ushtarëve dhe policëve, ai ka deklaruar se parada nuk është demonstrim force ndaj askujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit, si edhe e aftësisë për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në paqen rajonale e botërore.

Kurti është zotuar për vazhdimin e investimeve në ushtri dhe polici, duke theksuar se pa institucione të forta të sigurisë nuk ka shtet të fortë.

Ai ka potencuar se Kosova është dhe do të mbetet shtet i lirë, demokratik dhe sovran, me orientim të qartë euroatlantik

Të ngjashme

Të fundit