Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po vidhet shumë shumë më pak.
Ai ndër të tjera në fjalën e tij në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur për rritjen ekonomike në vend.
Teksa ka folur për Doganën dhe ATK-në, Kurti ka thënë se kanë filluar të funksionojnë me shumë më pak korrupsion.
Më pas, në kuadër të këtij shpjegimi Kurti ka thënë se po vidhet shumë shumë më pak dhe nuk thotë aspak në mënyrë që të mos bien në vetëkënaqësi zyrtarët.
Rritjen ekonomike vitin e kaluar e patëm 10.7%, të Bruto produktit vendor, ndërsa sivjet në tremujorin e parë e kemi pasur 4.9%, pasi të zbritet inflacioni, ritëm shumë i kënaqshëm krahasuar me vendet e tjera. Dogana dhe ATK-ja kanë filluar të funksionojnë me shumë më pak korrupsion, sepse të hyrat prej tyre janë rritur gati tre herë më shumë sesa rritja e ekonomike e vendit tonë, dhe kjo do të thotë se është rritur efikasiteti i doganierëve dhe i agjentëve tatimorë tre herë më shumë sesa është rritur ekonomia, përkatësisht Bruto produkti vendor. Pra, vidhet shumë shumë më pak, se s´po dua të them aspak, që të mos bien në vetëkënaqësi inspektorët e zyrtarët e tjerë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në llogarinë e tij në Facebook.