Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga Vushtrria nuk ka dashur të komentojë për gjendjen e fundit në veri.
Teksa ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, Kurti ka thënë për RTK-në, se për këtë çështje do të përgjigjet në Prishtinë.
Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë konferencë për media në Prishtinë, apo ndonjë njoftim tjetër zyrtar nga ana e Qeverisë. Deri me tani ka reaguar vetëm ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Krasniqi ka shkruar për betimin e djeshëm të kryetarëve të këtyre tri komunave, duke shtuar se punën e shërbimin ata duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave, ku sot janë mbledhur qytetarë për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në to.
‘’Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë’’– shkroi Krasniqi në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Ai gjithashtu shtoi se si institucione qendrore e kanë obligim që t’ua sigurojnë e mundësojnë përmbushjen e obligimeve kryetarëve të zgjedhur.
‘’Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve’’– tha Krasniqi