Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim gjatë një ngjarje të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99” në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë. Ai e filloi fjalimin duke thënë se kishte udhëtuar në Bosnje si “mik dhe partner”.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka theksuar se vizita e tij në Bosnje ishte një mundësi për të forcuar lidhjet mes dy vendeve, edhe pse Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, për të cilin ai kishte udhëtuar, ishte anuluar.
Ai shprehu keqardhje për anulimin e Samitit, por shtoi se nuk mund të anulohej vizita në Sarajevë.
Kurti ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina do të vazhdojë të ekzistojë si vend, duke shtuar se se marrëdhënia ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës, është e bazuar në njerëz dhe vlera.
“Sarajeva është më pak se gjashtë orë larg Prishtinës, por për të ardhur, unë dhe delegacioni im duhej të kalonim barrierën e kufizimeve të vizave. Unë sjell përshëndetje nga qytetarët e Kosovës, të cilët e shohin Bosnjën si një shtet mik. Ne ndajmë historinë dhe të kemi një të ardhme të përbashkët evropiane, prandaj kemi zbatuar në mënyrë të njëanshme marrëveshjen për lirinë e lëvizjes bazuar në kartat e identitetit dhe atë që kemi arritur përmes Procesit të Berlinit”, ka thënë Kurti.
Ai përmendi ngjarjet tragjike të Bosnjës, si Srebrenica, dhe ndikimin që ato kishin në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Kurti ka potencuar se Kosova i ka shumë borxh Bosnjës, për shkak të historisë së përbashkët dhe dhimbjes që kanë kaluar të dy vendet.
“BeH dhe Kosova janë të lidhura jo vetëm përmes historisë, por përmes një të kaluare të dhimbshme dhe tragjike. Në shumë mënyra, Kosova i ka borxh Bosnjës! Kryesisht për shkak të tmerreve që bota përjetoi në BeH, më vonë u parandalua në Kosovë. NATO ndërhyri në Kosovë në vitin e dytë të luftës, për shkak të Srebrenicës”, ka thënë Kurti, shkruan N1.
Kurti më tej ka thënë se Qeveria serbe mohon krimet e luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.
Siç deklaroi Kurti, ata mohojnë “të kaluarën e tyre kriminale sepse dëshmojnë se do ta bënin sërish nëse do të kishin mundësinë”.
“Prandaj duhet të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve, që të mos e bëjnë më”, ka thënë Kurti.
Gjithashtu, kryeministri Kurti kërkoi falje për ndonjë gabim të mundshëm në fjalimin e tij, duke përmendur se kishte mësuar gjuhën serbo-kroate nga një mësues malazez.