Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, kanë pritur në takim të enjten përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit të tyre është diskutuar për kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
“Diskutuan për temat aktuale, si dhe kërkesën e Serbisë drejtuar OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kryeministri ka theksuar se për këtë çështje ai ka informuar tashmë OSBE-në se për organizim të votimeve jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë, është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar.
Gjithashtu, në njoftim të ZKM-së thuhet se Kurti ka shprehur keqardhjen e tij për mungesën e gatishmërisë se Serbisë për një marrëveshje të tillë që do t’u mundësonte shtetasve të Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë të marrin pjesë në zgjedhje sipas praktikave më të mira evropiane ndërshtetërore për votim nga jashtë vendit.