Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka vizituar nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, për t’ua uruar fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas fotografive, kësaj radhe duket se Kurti nuk e ka provuar atë detyrën famoze dhe të thjeshtë, të cilën e kishte gabuar dhe për të cilën kishte kërkuar falje.
Kurti njofton:
Dita e parë e klasës së parë është një ditë e veçantë për çdo fëmijë dhe çdo prind. Këtë vit shkollor, në nivel vendi janë afër 25 mijë fëmijë që nisin mësimet në klasën e parë, që takojnë mësueset e mësuesit e tyre dhe që fillojnë miqësitë e para me shokët e shoqet e klasës dhe gjeneratës.
Bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituam nxënësit e klasës I/1 të shkollës “Hasan Prishtina” në Prishtinë, me mësuese Drita Bashota, dhe i uruam përzemërsisht fillim të mbarë e rrugëtim të suksesshëm përgjatë gjithë shkollimit.
I inkurajoj të gjithë mësimdhënësit që të jenë sa më afër fëmijëve dhe nxënësve, sepse në moshat e hershme dashuria e mësuesit dhe mësueses është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindërve. Dashamirësia që tregojmë për të tjerët dhe për ta bëhet faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre.
Urime fillimi i vitit të ri shkollor 2025/2026!